
TIRANË- Kampioni i karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi është nderuar nga kryeministri Edi Rama me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”. Karaqi përfaqësoi Shqipërinë në Olimpiadën Europiane duke fituar medaljen e artë në Lojërat Evropiane “Krakow 2023”.
“Ju të gjithë jeni arsyeja pse unë kam fituar. Dua të falënderoj ekipet olimpike dhe presidentin, pasi duke filluar nga dita e ceremonisë së hapjes, për mua ajo ka qenë dita e medaljes. Këtë medalje, po të ishte picë, do e ndaja me të gjithë, por po e marr me vete. Faleminderit ju që në mënyrë vullnetare e ndihmoni sportin. Nuk e kam përjetuar shumë medaljen se të premten e mora, të dielën isha kujdestar në spital. Tani po e shijoj. Faleminderit për përkrahjen”-u shpreh sportisti.
Alvin Karaqi mori medaljen e artë në Olimpiadën Europiane në Krakovë, në muajin qershor. Në ndeshjen e parë, Karaqi mposhti me rezultatin 2-0 kroatin Enes Gariboviç. Në sfidën e dytë u mund nga polaku Mikal Babos me rezultatin 5-3. Në duelin e tretë, karateisti shqiptar mundi grekun Kostandinos Mastrojanis 1-0, duke siguruar gjysmëfinalen dhe automatikisht zonën e medaljeve. Ai triumfoi në sportin e karatesë kumite deri në 84 kg.