Qytetërim

Inter dhe Napoli do të diskutojnë dhëmbë për dhëmbë titullin italian

Mateo Politanoja shënoi i pari me një goditje të bukur nga jashtë zone, i dyti ishte Billi Gilmur që asistoi me shumë elegancë për Romelu Lukakun, i mësuar me gola.

Redaksia Zëri
Inter dhe Napoli do të diskutojnë dhëmbë për
FOTO ILUSTRUESE

ITALI- Napoli mundi dje Milanin dhe qëndron tre pikë pas nga kryesuesit e Serisë A, Interit të drejtuar nga Simone Inzagi. Skuadra e Antonio Kontes shënoi dy herë brenda 19 minutave të para, duke dhënë përshtypjen se ndeshja ishte nën kontroll, por në fund u desh të mbroheshin me vështirësi pasi Milani nisi ta rriste presionin dhe gjeti edhe golin pranë fundit.

Mateo Politanoja shënoi i pari me një goditje të bukur nga jashtë zone, i dyti ishte Billi Gilmur që asistoi me shumë elegancë për Romelu Lukakun, i mësuar me gola. Milani, i cili renditet në vendin e nëntë, ngushtoi diferencën me Luka Joviçin. Milani humbi edhe një penallti më herët, në pjesë të dytë, nga Santiago Gimenezi. Portieri napoletan Aleks Mereti u tregua i vëmendshëm.

Në pjesën e dytë, falë presionit të shtuar, Milani pati disa mundësi për të barazuar, përfshirë një tjetër rast të Joviçit në minutat shtesë, por rezultati nuk u prek më. Milanistët ishin pa mesfushorin anglez Ruben Loftus-Çik, që iu nënshtrua një operacioni për heqjen e apendicitit gjatë ditës. Kampionët në fuqi, Interi i Simone Inzagit, edhe pse me ëndrra të mëdha evropiane, përmbushën mirë detyrimet ndaj Udinezes, duke fituar 2-1.

Marko Arnautoviçi dhe Davide Fratezi shënuan për Interin, ndërsa Oumar Solet ngushtoi diferencën për Udinesen. Gara e këtij viti në Itali me sa duket, me mbetjen 6 pikë pas nga vendi i dytë i Atalantës, do të luhet mes Interit të Inzagit dhe Napolit të Kontes. Përveç një transferte të vështirë në Bolonja, ku djemtë e Italianos duan të firmosin zonën evropiane, pa angazhime evropiane Napoli i Kontes ka përballje me të lehta: Empoli, Monza, Torino, Leçe, Xhenoa, Parma dhe Kaljari. Interit, nga ana tjetër, i duhet të përballet në derbim me Milanin për gjysmëfinalen e Kupës, me Bajernin e Mynihut dy herë për çerekfinalen e Ligës së Kampioneve dhe në kampionat si vijon: Kaljari, Bolonja, Roma, Verona, Torino, Lacio dhe Komo./ZËRI

Poll

MOS HUMB