
PARIS- Boksierja algjeriane, Imane Khelif, e cila është kthyer në një nga personazhet më të përfolur të Lojrave Olimpike do të luftojë të premten për medaljen e artë në boksin e femrave. Algjeriania mposhti rivalen tajlandeze Janjaem Suwannapheng dhe u kualifikua në fazën finale. Khelif do të luftojë për medaljen e artë olimpike të premten mbrëma, ndërsa kundërshtarja e saj do të jetë Liu Yang nga Kina.
Khelif është kthyer në qendër të publikut sportiv, për shkak se u akuzua se nuk është femër, e gjitha sepse mposhti për 46 sekonda boksieren italiane, Angela Carini.
Pas kësaj ndeshje shumë njerëz dolën kundër Khelif si, boksierja italiane Angela Carini, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ish-prsidenti Donald Trump, pronari i X (i njohur më parë si Twitter) Elon Musk, shkrimtarja e famshme e Harry Potter J. K. Rowling.
Boksierja Khelif, 25 vjeç, është bërë shënjestër e skeptikëve, të cilët e quajnë atë një 'burrë biologjik' dhe këmbëngulin se ajo nuk duhet të konkurrojë në kategorinë e grave. Megjithatë, është raportuar se Khelif biologjikisht është një grua, e cila ka një gjendje të rrallë në zhvillimin e seksit (DSD), e cila mund të rezultojë që individët femra të kenë kromozome apo hormone mashkullore. /ZËRI/