
TIRANË-Refik Halili do të vazhdojë të jetë në krye të Tiranës. Aksionet e klubit bardheblut nuk do të dalin në ankand. Gjykata e Lartë ka pushuar verpimet përmbarimore që nxirrnin në shitje 66% të aksioneve të klubit kryeqytetas.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë më 29 janar 2025 dhe është pasqyruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 11 mars 2025 ku thuhet: "Depozitimi i urdherit Nr.912/55 Prot., Nr.912/D datë 03.03.2025,l ëshuar nga Zyra Permbarimit Privat "ALBASE" shpk, me permbarues Baftjar Nela protokolluar nga Qendra Kombetare e Biznesit me nr. 4684, date 06.03.2025 , ku është urdhëruar: Heqja e sekuestros te Aksioneve ne masen 66% qe i perkasin shoqerise "Halili" shpk te "Klubi Futbollit Tirana" sha, pasi eshte pranuar padia e debitorit me vendimin civil Nr. 11217-01656-00-2017, dt 29.01.2025 te Gjykates se Larte."
Aksionet e klubit sportiv kryeqytetas dolën në shitje nga zyra përmbarimore “Albase” më 19 prill 2024. Vlera e aksioneve të “Halili” shpk, është mbi 161 milionë lekë. Bllokimi kishte ardhur prej detyrimeve të shumta të ndryshme që kishte në vite pronari i KF Tirana ndaj palëve të treta, të cilat kishin fituar gjyqe radhazi dhe prisnin zbatimin e vendimeve. Në prill-maj 2024 dështoi shitja e aksioneve të klubit Tirana.
"Halili shpk”, pronari i 66% të aksioneve të KF Tiranës me president Refik Halilin, pas ankandit të parë iu drejtua Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë, Tiranë me një kërkesëpadi, objekti i së cilës është pezullimi i ekzekutimit të vendimit që ka fituar familja “Preza”. Në kërkesëpadinë, paditësi pretendonte për rivlerësim të paktën të aksioneve që përmbaruesi i ka nxjerrë në shitje 1.6 milionë euro. Po kështu, Halili “shpk” kundërshtoi veprimet e përmbaruesit gjyqësor, i cili kishte nisur shitjet e aksioneve të KF Tiranës në ankand.