SPANJË-Diego Armando Maradona Sinagra, djali i legjendës së futbollit Diego Armando Maradona, ka bërë deklarata të forta lidhur me gjyqin që po zhvillohet në Argjentinë për vdekjen e të atit. Në një intervistë për 'El Chiringuito', Diego Maradona Jr. u shpreh i sigurt se ka pasur neglizhencë nga ekipi mjekësor dhe pretendon se babait të tij i kishin vjedhur paratë, shkruajnë mediat e huaja.
Maradona Jr., i cili lindi në Napoli më 20 shtator 1986 dhe ishte një yll i futbollit në plazh, iu bashkua teorisë së paraqitur nga avokati Fernando Burlando se Maradona "u vra në mënyrë djallëzore" në "shtëpinë e tmerrit" në "një plan çnjerëzor që doli i efektshëm".
"Po ndjek nga afër gjyqin dhe është një periudhë shumë e vështirë për familjen tonë. Na presin kohë të rënda, por jemi të përgatitur. Ajo që më lëndon më shumë në këtë gjyq është se e vranë. Është kaq e qartë. Ata nuk e trajtuan siç duhet dhe nuk bënë asgjë për ta shpëtuar. Unë nuk mund ta pranoj atë që mjekët nuk bënë. Jam i sigurt se do të vërtetojmë se ka pasur neglizhencë. Nëse do ta kishin trajtuar siç duhet, ai do të ishte ende gjallë. Jam i bindur se jo vetëm që nuk u kujdesën për të, por edhe i vodhën paratë,"-tha Maradona Jr.
Legjenda e Futbollit ndërroi jetë në vitin 2020. Ndërsa po rikuperohej nga një operacion në tru, pas një mpiksjeje gjaku, më 25 nëntor 2020 ai pësoi atak kardiak. Diego Maradona për dekada luftonte me varësinë nga kokaina dhe alkooli. Të pandehurit në lidhje me vdekjen e tij janë psikiatrja, psikologu, mjeku, infermieri, shefi i infermierëve dhe një mjek klinik i skuadrës mjekësore të Diego Armando Maradonës. Të shtatë punonjësit mjekësorë janë akuzuar për neglizhencë me pasojë vdekjen e Diego Armandos. Nëse akuzat vërtetohen, ata rrezikojnë nga 8 deri në 25 vjet burg. Stafi mjekësor i gjeniut të futbollit, tanimë përpara drejtësisë, i mohoi akuzat./ZËRI