Qytetërim

Çerekfinalet e Ligës së Kombeve: Kroacia mposht Francën në Split, "gjel" vetëm portieri Manjan

Problematika më e mprehtë për skuadrën franceze ishte qendërmbrojtja.

Redaksia Zëri
Çerekfinalet e Ligës së Kombeve: Kroacia mposht Francën
FOTO ILUSTRUESE

KROACI– Dje në mbrëmje, në ndeshjen e zhvilluar në Split të Kroacisë, Franca u mposht 2-0 nga vendasit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kombeve. Paraqitja e lojtarëve kyç të Francës ishte zhgënjyese. Në pjesën e parë thuajse të gjithë lojtarët, me përjashtim të portierit, nuk hynë dot në ritmin që loja meritonte. Kiljan Mbapeja, i cili kthehej në kombëtare pas një mungese gjashtëmujore, ishte nën mesataren e paraqitjeve të tij.

Problematika më e mprehtë për skuadrën franceze ishte qendërmbrojtja. Ibrahima Konate dhe Uilliam Salibaja u gjendën shpesh në vështirësi përballë sulmit kroat. Konate, madje, në minutat e para shkaktoi një penallti të cilën e ndali heroikisht Majk Manjani. Ndalimi i penalltisë së Kramariçit nuk ishte i vetmi gjest pozitiv i Manjanit në këtë ndeshje. Kroacia ishte kërkuese, qendërmbrojtësi tjetër Saliba u tejkalua disa herë nga sulmet e shpejta kroate, por vetëm porta u mbrojt mirë.

Kroacia kaloi në epërsi 18 minuta më vonë, Ante Budimir shënoi me kokë pas një krosimi të bukur nga veterani Ivan Perishiç. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Perishiçi dyfishoi rezultatin me një goditje të fuqishme nga 15 metra që përfundoi në cepin e portës.

Në pjesën e dytë Franca nuk pati atë mungesë ideje, organizimi dhe përqendrimi të pjesës së parë. Guenduzia në qendërfushë rriti nivelin e tij, Mbapeja fitoi rrezikshmëri dhe paraqiti shenja të nivelit të yllit të skuadrës, Dembeleja provoi dy herë, edhe zëvendësuesi Barkola futi shumë lëvizshmëri, por nuk mjaftuan për rezultatin 2-0. Duhet thënë se, sa herë u vu në provë gjatë pjesës së dytë, edhe portieri kroat, Dominik Livakoviç, u tregua i saktë si një kompjuter, që bashkë me veteranin Perishiç, autor goli dhe asisiti, ishin më të mirët e skuadrës së tyre.

Franca do të përballet me një detyrë të vështirë për të arritur në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve nëndeshjen e saj të kthimit, ku i duhet të kapërcejë rezultatin 2-0./ZËRI

Poll

MOS HUMB