
ARGJENTINË- Lautaro Martinezi ka shqetësuar Argjentinën dhe Interin, edhe ai i dëmtuar, do t'u mungojë përballjeve me Urugajin dhe është në dyshim të fortë edhe përballja e dytë me Brazilin. Dibalaja dhe Mesi po ashtu do të mungojnë për shkak të dëmtimeve të tyre të njoftuara më herët. Sulmi argjentinas rrudhet ndjeshëm në alternativa përpara dy sfidave shumë të forta, kundër Urugajit dhe kundër Brazilit, për eleminatoret e Kupës së Botës 2026.
Hulian Alvarezi, në listën e grumbulluar nga trajneri Skaloni mbetet pesha më e rëndë dhe lojtari më me përvojë. Për ngjashmëritë në stil me Lautaron, i ashtuquajtur "Lautarito", Santiago Kastroja i Bolonjës, i cili po zhvillon një sezon shumë të mirë, me 38 ndeshje dhe 10 gola e 4 asiste, mund të ketë mundësinë e tij të artë me "albiceleste-t" për të debutuar në moshën 20-vjeçare.
Po ashtu, në rast i mirë është edhe për 20-vjeçarin tjetër, Niko Pazin e Real Madridit, të huazuar te Komoja në Itali, që mund të marrë rolin e Leo Mesit si trekuartist. Pazi ka këto të dhëna: 6 gola dhe 6 asiste në Itali, ku është titullar. Më 16 tetor 2024, ai u aktivizua 17 minuta ndaj Bolivisë ku edhe debutoi e për 17 minuta regjistroi një asist.
Mbetet për t'u parë nëse Lautaro do të kthehet në fushë në ndeshjen ndaj Brazilit e nëse Argjentina do ta ruajë vendin e parë në grup me 5 pikë diferencë, pavarësisht mungesave./ZËRI