
FIRENCE- Arsyet pse në Firence terreni është përherë i "djegur" për çdo vizitë të Juventusit, çka së fundmi, edhe pse nën përmbytje, u kushtoi një gjobë të majme për koreografi urrejtjeje tifozëve toskanë, janë 5: 1. poshtërimi i një ndeshjeje të keqe, 2. titulli i humbur pa meritë, 3. një kupë evropiane e protestuar nga Fiorentina, 4. rasti Baxhio dhe 5. korridori i ‘’preferencës’’ së lojtarëve.
Së pari, në vitin 1928, Fiorentina regjistroi një humbje turpëruese 11-0 nga bardhezinjtë, që mbetet në regjistrat e historisë së klubit si një njollë e pashlyeshme në kujtesën e tifozëve toskanë. Toskanët kujtojnë gjithçka, muzeu dhe shkolla futbollit italian, Koverçiano, jo rastësisht gjendet në një zonë fqinje me stadiumin ‘’Franki’’. Kjo humbje i takon një shekulli më parë, por nuk funksionon për muzeun e futbollit. Ajo mbetet aty.
Së dyti, në sezonin 1981/1982 të Serisë A, Juventusi dhe Fiorentina ishin në krye të kampionatit. Në fund të sezonit, "Zonja e Vjetër" e fitoi titullin mes polemikave të shumta arbitrare. Në ndeshjen Kaljari-Fiorentina Gracianit iu anulua një gol që i jepte fitoren dhe titullin skuadrës vjollcë. Tifozët fiorentinë jo vetëm që e kujtojnë si të padrejtë arbitrimin në Sardenjë, por shtojnë nga kujtimet e tyre se, për rastësi fatkeqe për ta, Juventusit iu dha një penallti e dyshimtë që Brady e shënoi dhe Juventusi fitoi titullin në ndeshjen ndaj Katanzaros. Fiorentina e këtij sezoni kujtohet e lartësohet në memorien kolektive të qytetit: portier ishte një ndër më të respektuarit e historisë italiane, qendërmbrojtës ishte Viershvud, që disa vite më pas arriti majat evropiane me Sampdorian; dyshja e argjentinasve, kampionë bote në 1978, Bertoni dhe Pasarela; sulmuesi Graciani, kampion Bote në 1982-in dhe Xhiankarlo Antonjoni, ai që mbahet si një ndër dhjetëshat më të mire italianë të të gjitha kohërave.
Së treti, në vitin 1990, Juventusi dhe Fiorentina diskutuan së bashku finalen e Kupës UEFA. Juventusi fitoi 3-1 në ndeshjen e parë, mes polemikave për një gol të cilësuar të parregullt nga tifozët e Fiorentinës. Në ndeshjen e kthimit, e cila u luajt në Avelino, sepse ‘’Artemio Franki’’ po sistemohej për Botëror, sfida përfundoi në barazim 0-0. Kupën e fituan juventinët.
Së katërti, kulmi i kësaj ‘’urrejtjeje’’ mbërriti me rastin Baxhio. Baxhio e donte Fiorentinën dhe Fiorentina e adhuronte si Princin e saj bishtalecin. Ai mezi priste të rikthehej pas një dëmtimi të rëndë, por presioni juventin ndaj agjentëve të tij dhe klubit i bindi të dyja palët, duke e lënë të pafuqishëm përpara faktit të kryer. Firencja për 3 ditë u bllokua. Çështja u shëndrrua në histori politike dhe çështje të sigurisë së qytetit. Në rrugët e qytetit grupet e tifozëve dhe adhuruesve të Baxhios përplaseshin me forcat policore dhe bllokonin rrugët publike. Tifozët ndjeheshin dyfish të tradhëtuar nga klubi i tyre, sepse i shitën Gjeniun e qytetit pa pëlqimin e tyre, sepse ia shitën Juventusit për ta forcuar më tej skuadrën që urrenin. I paharrueshëm mbeti gjesti i Baxhios një vit më pas, si për t’i përcjellë një mesazh dhembjeje dhe palumturie tifozëve vjollcë, kur refuzoi të gjuante një penallti kundër tyre dhe, pasi e zëvendësuan, ai e mori dhe e vari mbi qafë një shall të Fiorentinës që ia hodhën tifozët e tij.
Së fundmi, ‘’tradita’’ e largimit të yjeve të Fiorentinës te Juventusi që pasoi në dy dekadat e fundit, vetëm sa kujdesej që gjatë thatësirës verore të vaditej bima e rivalitetit: Kuadrado, Felipe Melo, Neto, Bernardeski, Kieza, Vlahoviç dhe së fundmi Niko Gonzales./ZËRI