
TIRANË- Biznesmeni i njohur Elton Ilirjani ka dhënë një intervistë për këngëtaren Parashqevi Simaku. Në një intervistë për emisionin "Opinion", Ilirjani tregoi pak detaje dhe pa dhënë emra nga historia e këngëtares shqiptare, e cila u largua nga Shqipëria për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tregoi se ka pasur shumë persona që kanë tentuar ta godasin atë për t’i shkatërruar karrierën. Mes tyre edhe pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit që e kanë ndjekur për shkak të fiksimit seksual ndaj saj. Sipas tij, e kanë ndjekur edhe në Amerikë.
“Sepse ka personazhe të fuqishëm të përfshirë, të politikës së atëhershme. Të Sigurimit të Shtetit që e kanë përndjekur pa dijeninë e saj, të botë së artit. Është diva e padiskutueshme shqiptare, e xhelozuar maksimalisht nga kolegët e saj. Asnjë koleg i saj, qoftë të bënin dhe një koncert në formë bamirësie, apo qoftë 100 dollarë, ata heshtën sepse ata i tremben imazhit të mrekullueshëm të një dive shqiptare, të vetmes. Prandaj iu përula! Më e madhja e shqiptarëve! Ne si atdhetarë nuk duhet ta kishim lënë aty. Ajo është grua e zgjuar dhe nuk ka për ta hapur…Unë e di atë sirtar. Parashqevinë e dua fort se kam jetuar 3 muaj me atë zonjë dhe kemi marrëdhënie të fortë emocionale, ajo është si mami për mua. Nëse Parashqevi Simaku si histori do të hapet, shoqëria shqiptare do të tronditet!,”-tregoi Ilirjani.
PJESË NGA INTERVISTA:
Elton Ilirjani: Kur lançoi albumin “Equos From Illyria” me një label të rëndësishëm amerikan filloi goditja sërish nga këta persona që po e përndiqnin që nga Shqipëria për t’i shkatërruar karrierën. Arsyet janë të shumta. E para njëherë është xhelozia. E dyta sapo kishte filluar në Shqipëri tutorizmi i vajzave të bukura ku ajo nuk zgjodhi që të ishte pjesë. Ku filluan dëshirat për t’i treguar vajzat e bukura për t’i sjellë në një treg të etur seksualisht, ku ajo nuk pranoi. Tjetra ishte dhe fiksimi që mund të kenë pasur njerëz me pushtet të asaj kohe sidomos të Sigurimit ku ajo nuk i njihte fare.
Blendi Fevziu: Kishin fiksim seksual?
Elton Ilirjani: Po
Blendi Fevziu: Ndaj saj?
Elton Ilirjani: Ndaj saj.
Blendi Fevziu: Dhe e kanë përndjekur?
Elton Ilirjani: Dhe e kanë përndjekur. Patjetër kanë pasur disa persona që pas viteve ’90 u rikthyen sërish në pozicionet që kishin dhe ishin përsëri pjesë e Sigurimit të Shtetit të cilët e përndiqnin dhe udhëtonin në SHBA. Ajo nuk i njihte fare.
Më tej ai tregoi se ikona e muzikës shqiptare shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një ëndërr të madhe për Hollivudin, por atje dështoi dhe arsyeja është kjo.
“Ajo dështoi sepse ajo nuk zgjodhi që të ishte një “punonjëse seksi” siç janë shumë artistë të tjerë dhe në skandalet që keni parë në SHBA. Parashqevi Simaku është një person shumë i pastër, shumë i dashur, që ka besim të madh te Zoti. Ajo e rrezaton këtë. Kur ka shkuar në Hollivud, jo vetëm që nuk ka pasur mbështetjen e askujt nga shqiptarët, por edhe është goditur. Është goditur që në hapat e saj në Hollivud”, tha ai.
Pyetjes se nëse ikona e muzikës shqiptare e ka në plan të kthehet në atdhe, Elton Ilirjani u përgjigj me bindje “po”, madje dha edhe një "datë", muajin shtator./ZËRI