Qytetërim

Arbëreshi më i njohur i futbollit italian mbylli karrierën si futbollist

Të gjitha mediat italiane shkruan për të. Kandreva gëzonte shëndet të plotë dhe formë të mirë fizike, pavarësisht moshës 38-vjeçare, por mungesa e një projekti interesant e shtyu që pasi kishte 6 muaj i lirë nga kontratat profesioniste, të largohej nga futbolli i luajtur.

Redaksia Zëri
Arbëreshi më i njohur i futbollit italian mbylli karrierën si
Antonio Kandreva

ROMË-  ‘’Grazie Calcio’’ titullohej një videomesazh emocional që Antonio Kandreva publikoi në rrjetin e tij social, Facebook.

3431 pëlqime, 377 komente dhe 258 shpërndarje mori postimi ende pa u bërë 24 orë. Të gjitha mediat italiane shkruan për të. Kandreva gëzonte shëndet të plotë dhe formë të mirë fizike, pavarësisht moshës 38-vjeçare, por mungesa e një projekti interesant e shtyu që pasi kishte 6 muaj i lirë nga kontratat profesioniste, të largohej nga futbolli i luajtur.

Në komunikim me ‘’radiosei’’, radion zyrtare të Lacios, ai dha një detaj interesant: Në verë iu vetëofrova Lacios, dëshiroja ta mbyllja karrierën në ‘’Olimpiko’’ të Romës, por e ndjeja dhe e dija që do të ishte e vështirë.

Kandreva arriti kulmin e karrierës së tij me Lacion, ku vetëm një gjest i mungesës së besimit nga drejtuesit e skuadrës në lidhje me shiritin e kapitenit, ia theu besimin e më pas marrëdhënien. Ai arriti të thyente rekordin e Huan Sebastian Veronit, për numër golash të shënuar nga një mesfushor në një sezon të vetëm. 502 ndeshje luajti në Serinë ‘’A’’, 85 gola dhe 100 asiste regjistroi në to; 64 ndeshje, 2 gola dhe 2 asiste pati shënuar në Serinë ‘’B’’; 16 ndeshje në Serinë ‘’C’’ dhe 2 asiste e bëjnë karrierën e tij shumë të pasur në të tre nivelet e futbollit italian. 7 gola dhe 10 asiste, në 39 ndeshje në Kupën e Italisë. Asisti më i rëndësishëm, sipas deklaratave të vetë lojtarit, ishte krosimi për Luliçin në finalen e 2013-s, të fituar ndaj Romës me golin e bosnjakut në minutën e shatëdhjetë e një.

Kandreva bëri edhe 10 ndeshje përvojë në Ligë Kampionesh, (1 gol dhe 1 asist), si edhe 38 ndeshje në Ligën e Evropës, 4 gola dhe 7 asiste. Antonio Kandreva veshi 54 herë fanellën e kombëtares italiane, shënoi 7 gola dhe dha 13 pasime golash për të tjerët. Një nga shtatë golat u shënua kundër Shqipërisë në vitin 2017.

Pakkush e di se Antonio Kandreva është Antonioja i dytë. I pari ishte gjyshi i tij, që u zhvendos në Romë, ku lindi babai Mauricio dhe vetë Antionioja i dytë pasi gjyshi kishte përfunduar shërbimin ushtarak në Libi. Antonioja i parë ishte nga Fallkunara, ose e njohur ndryshe si Falconara Albanese në Kalabri, ngulim arbëresh i njohur i zonës së atyshme. Antonio Kandreva është shumë i lidhur me këtë qytezë dhe në vitin 2015, kur luante ende për Lacion, u prit nga kryebashkiaku i atyshëm dhe mori një titull nderi./ZËRI

Poll

MOS HUMB