
FRANCË – Futbollisti francez Kylian Mbappe, në një intervistë për revistën “GQ”, është pyetur për disa tema të ndryshme, që prekin futbollin modern. Ai ka folur në lidhje me lojën që po bën tek PSG, me faktin se nuk kishte aq shumë presion tek ekipi parizien dhe nëse dëshiron që të provojë të tjera sfida futbollistike.
Mbappe tha se dëshiron që të ndjekë rrugën e yjeve të tjerë të futbollit, që u bënë të mëdhenj, falë faktit se u aktivizuan me klube gjigande europiane. “Unë nuk kam shumë presion për momentin, PSG nuk e ka të vështirë në një kampionat si ai francez. Të gjithë duhet të provojnë më shumë, me qëllim që të arrijnë majat”, tha Mbappe.
Pavarësisht kësaj, Kylian Mbappe duket se është i kënaqur që është kapiteni i një prej Kombëtareve më të forta në botë, si Franca. Ndërsa, më tej foli edhe për faktin sesi e sheh ai futbollin modern. “Futbolli po shndërrohet si NBA, ku në një sezon zhvillohen deri në 70 ndeshje. Nuk jam kundër që të luajmë kaq shumë. Por, duke pasur kaq shumë ndeshje, mund të bjerë niveli dhe publiku mund të zhgënjehet nga ajo që sheh në fushë”, deklaroi numri një i Kombëtares së Francës.
Së fundmi, mediat botërore kanë raportuar se mund të ketë një kalim të Mbappesë nga PSG tek Real Madrid./ZËRI/