
BRITANI E MADHE- DC Junajtid, me 9 pikë në 10 ndeshjet e para të këtij viti, do të ndryshojë plotësisht strategji për sezonin e ardhshëm. Për këtë, nga SHBA-të vijnë raportime se nga liga amerikane MLS ka siguruar mekanizmin e “discovery rights”, të drejtën për të bllokuar ekskluzivisht negociimin me pesë lojtarë të cilët nuk mund të kontaktohen nga skuadrat e tjera, për emra të mëdhenj.
DC Junajtid ka vendosur të konkurrojë seriozisht Inter Majemin e Dejvid Bekamit për sezonin e ardhshëm.
Sot erdhën raportime se njeri nga pesë emrat është Pol Pogba, ish-kampioni i Botës që do t’i rikthehet futbollit të luajtur pas pezullimit.
Njohësit e merkatos amerikane e kanë thuajse të sigurt se nëse Inter Majemi siguron De Brujnin nga Siti, Pogbaja do të firmosë me DC Junajtid. Ose, kjo mund të jetë lëvizje taktike e DC Junajtidit për të arritur te De Brujni dhe për të lënë të lirë me korridor preference Pogbanë te Inter Majemi. Po të mbahet parasysh marrëdhënia e Mesit dhe Pogbasë, version i dytë është më i mundshëm./ZËRI