
TIRANË- Futbollisti i kombëtares shqiptare të Futbollit, Mirlind Daku rrezikon përjashtimin nga Kampionati Europian i Futbollit "Euro2024", pasi bëri thirrje ofenduese ndaj serbëve dhe maqedonasve. Deklaratën e të birit e ka analizuar edhe babai i futbollistit, Fehmi Daku, i cili ka folur për mediat ruse.
"Mirlindi është thjesht një person emocional dhe shpërthyes. Ai e bëri atë pa dashje dhe tashmë ka kërkuar falje për ata që janë lënduar. Do të jetë shumë e vështirë për ne nëse skualifikohet Mirlindi, por nuk besoj se do të ndodhë. Është 100 për qind gabim të bësh thirrje për vrasjen e serbëve! E dini se çfarë lloj mbështetjeje ka Mirlindi në Kroaci, Slloveni dhe tani edhe në Rusi. Të gjithë e dinë sjelljen e tij si futbollist. Djali im është shumë i mirë, por kjo është pjesëmarrja e tij e parë në kampionatin europian, ndaj e kanë marrë para emocionet. Nuk mendoj se ai e meriton të pezullohet nga turneu. Ai tashmë ka kërkuar falje!,"- tha Fehmi Daku për portalin rus "Sport 24".
Më pas, gazetari i "Sport 24", Vladislav Šapiro ka pyetur babanë e Mirlind Dakut për marrëdhëniet e djalit të tij me futbollistët serbë në skuadrën ku ai aktualisht luan "Rubin Kazan". Në Rusi, Daku ndan fushën e blertë me shumë futbollistë serbë siç janë; Lazar Rangjeloviç, Nikola Çumiç, Urosh Drezgiç dhe Bogdan Joçiç.
"Ai rri me ta gjatë gjithë kohës. Më së shumti komunikon me Vujaçiçin. Ata janë miq dhe janë gjithmonë bashkë,"-shtoi Daku.
Por pavarësisht pendesës së tij, UEFA ka nisur procedimin disiplinor ndaj futbollistëve të Shqipërisë dhe shoqatat e futbollit të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut presin që Mirlind Daku të skualifikohet dhe të përjashtohet nga EURO 2024. Se çfarë mase do të marrë UEFA lidhur me 26-vjeçarin, kjo pritet që të zbulohet në vazhdim./ZËRI