
PRISHTINË– Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media, ka përsëritur qëndrimin e qartë të BE-së lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, duke theksuar rëndësinë e shmangies së veprimeve të njëanshme.
Stano theksoi se çështja e urës duhet të trajtohet në kuadër të dialogut dhe se veprimet e pakoordinuara vetëm sa do të përkeqësojnë situatën.
"Qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e urës është thënë qartë në ditët dhe javët e kaluara dhe kjo i është komunikuar partnerëve në Prishtinë dhe është diskutuar gjerësisht me partnerët tjerë brenda BE-së, SHBA-në, NATO-n dhe KFOR-in. Qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar, nuk ka asgjë të re që mund të shtoj," tha Stano.
Ai gjithashtu bëri thirrje që autoritetet e Kosovës të dëgjojnë mesazhet nga aleatët dhe partnerët, duke paralajmëruar se veprimet e njëanshme mund të kenë pasoja negative jo vetëm për komunitetet, por edhe për administratën e Kosovës.
Stano përfundoi duke nënvizuar se dialogu mbetet rruga e vetme për të adresuar çështjet e ndjeshme dhe për të garantuar stabilitetin në rajon.
Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999. Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete. Më 24 korrik të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës e Kosovës hapi një tender për testimin e “kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese”. Ndonëse nuk duan dialog në Bruksel për urën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se planifikojnë diskutim publik nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarët për "përfitimet nga hapja e urës”./ ZËRI