Qytetërim

Bajerni i Mynihut kërkon të bëjë një blerje ‘’heroike’’ të nivelit Florian Virc

Afrimi i Vircit nuk është thjesht një ëndërr e bukur për të ndërtuar një dyshe gjeniale te Bajerni i Mynihut, Musiala-Virc.

Redaksia Zëri
Bajerni i Mynihut kërkon të bëjë një blerje
Florian Virc

GJERMANI- Bajerni i Mynihut jo rrallë herë ka zgjatur dorën për të marrë nga vitrina e ‘’Aspirinave’’ lojtarë plot grintë e talent. Këtë herë po i vërdalliset një loje të shtrenjtë, sepse në garë dhe sy e vesh janë miliarderët e Sitit të gatshëm të ofrojnë 9-shifrorësha në euro për numrin 10, Florian Virc, i cili është heroi dhe lideri i Bajerit të Alonsos, me kontratë që skadon në vitin 2027.

Më herët, Bajerni kishte marrë nga Aspirinat në fillimvitet 2000 yllin e mbrojtjes, Kampionin e Botës, brazilianin Lusio, mesfushorin Balak, organizatorin brazilian Ze Roberto, të gjithë pjesë e gjeneratës 2002, të finales së Ligës së Kampioneve të humbur me Realin e Madridit. Pjesë e të njëjtës gjeneratë dhe fluksi largimesh ishte edhe kroati Robert Kovaç.

Afrimi i Vircit nuk është thjesht një ëndërr e bukur për të ndërtuar një dyshe gjeniale te Bajerni i Mynihut, Musiala-Virc. Kjo ide është shoqëruar me një sinjal të qartë nga Karl Hajnc Rumenige. 

Anëtari i bordit të Bajernit e shprehu hapur dëshirën që Virc të bëhet ylli i radhës gjerman që luan për klubin dhe të formojë një dyshe me "binjakun" e tij, Xhamal Musiala.

Rumenige foli për "Corriere della Sera", dhe e përshkroi dyshen Virc-Musiala si "dy binjakët e golave" të Gjermanisë, duke thënë: "Ata janë talente të mëdha të futbollit botëror, jo vetëm gjerman." I pyetur nëse Virci mund të luajë një ditë përkrah Musialas te Bajerni, ai u përgjigj: "Shpresoj që po, do të ishte një goditje e madhe për ne të bindnim Vircin dhe Leverkusenin. Ai dhe Musiala janë mishërimi i futbollit gjerman dhe filozofia jonë ka qenë gjithmonë të sjellim lojtarët më të mirë gjermanë te Bajerni."

Virci momentalisht po vuan një dëmtim të ligamentit të brendshëm të gjurit të tij, por shifrat e 21-vjeçarit janë vërtetë për t’u duartrokitur: 56 gola dhe 63 asiste në 191 ndeshje me fanellën e Bajer Leverkusenit, si edhe 6 gola e 7 asiste në 29 ndeshje me kombëtaren gjermane. 117-149 milionë euro vlerësohet kartoni i tij nga CIES, si lojtari i pestë më i shtrenjtë në Botë pas Musialës./ZËRI

Poll

MOS HUMB