
KASTIJË- Në ‘’Estadio de la Ceramica’’, Vijareali bëri një ndeshje shumë të mirë përpara tifozëve të vetë. Më se gjashtë herë ishin pritjet akrobatike të Tibo Kurtua (Thibaut Courtois), që e mbajtën skuadrën madrilene në lojë. Pritjet e portierit dhe efikasiteti i Kiljan Mbapesë në dy raste në pjesë të parë, në të cilat shënoi dy herë, i bëri madrilenët të siguronin 3 pikë të lodhshme e njëherësh me shumë fat.
Skuadra e trajnerit Marcelino, e provoi portën 23 herë përkundrejt 9 rasteve të Realit të Madridit. E megjithatë, ‘’Los Blancos’’, tanimë me Barcelonën me një ndeshje për t’u rikuperuar ndaj Osasunës dhe me një tjetër për t’u luajtur këtë fundjave, renditen të parët me 3 pikë më tepër, 60 pikë në 28 ndeshje. Me 2-golëshin e sotëm Kiljan Mbape afrohet me vetëm 1 gol në renditje ndaj vendit të parë, polakut të Barcelonës, Levandovskit, që udhëheq renditjen e golashënuesve më të mirë të LA LIGA me 21 gola.
Për këtë ndeshje nën tonet e pritura, Ançeloti ishte shumë i vendosur dhe në vetëm një paragraf i tha të gjitha: “Kjo është hera e fundit që ne luajmë një lojë pa bërë 72 orë pushim. Ne nuk do të shfaqemi dhe nuk do të luajmë nëse ndodh përsëri”./ZËRI