
TIRANË-Sot është publikuar lista me 23 lojtarët e ftuar në dy ndeshjet e para kualifikuese të kuqezinjve, përballë Anglisë dhe Andorrës, ku vihet re se mungojnë 4 lojtarët më të spikatur. Trajneri i Kombëtares Sylvinho pas publikimit të listës për dy ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës, ka dalë në konferencë me gazetarët ku sqaroi mungesat.
Sylvinho zbuloi se katër lojtarë, Mario Mitaj, Mirlind Daku, Elseid Hysaj dhe Keidi Bare janë lënë jashtë për shkak të dëmtimeve të tyre. Braziliani zbuloi se Mitaj do i nënshtrohet operacionit dhe do të jetë jashtë për kohë të gjatë.
Sylvinho: Do mundohem të flas pak dhe do tju le ju të flisni më shumë. Do ta nis me 4 lojtarët që nuk janë në listë dhe të dëmtuar. Mario Mitaj ka problem në puplaxhi dhe është vendosur të operohet. Keidi Bare ka dëmtim në pulpë dhe nuk është i disponueshëm për momentin, ka pasur komunikim mes doktorit tonë dhe Saragozës. Me Elseid Hysajn kam komunikuar vetë dhe mund të jetë i gatshëm për tu rikthyer pas pauzës së Kombëtares për tu trajnuar me ekipin e tij. Daku ka të njëjtin problem pra në pupalxhi, do të ketë mundësi të trajtohet për tu rikthyer shpejt me ne dhe skuadrën e tij.
Grumbullimi zyrtar nis të hënën më 17 mars. Shqipëria do të luajë të premten e 21 marsit përballë Anglisë në Wembley dhe tre ditë më vonë do të presë në Arenën Kombëtare skuadrën e Andorrës, të vlefshme për Kualifikueset e Botërorit “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”./ZËRI