Qytetërim

Monza dhe Parma barazojnë, emisarët e Interit ‘’rrudhen’’: Puna për blerje të reja ka nisur

Interi, nga ana e tij, mund të negociojë me kushërinjtë milanistë për Bisekun.

Redaksia Zëri
Monza dhe Parma barazojnë, emisarët e Interit
Ausilio dhe Baccin

SERIA ‘’A’’- Dje, Monza e drejtuar nga Alesandro Nesta u përball me Parmën, ndeshje e vlefshme për javën e njëzet e nëntë të kampionatit, e përfunduar në barazim 1-1. Në stadiumin ‘’U-Power’’ ishin të pranishëm edhe Pier Auzilio, drejtori sportiv i Interit dhe Dario Baçin, zëvendësdrejtori sportiv i skuadrës.

"Calciomercato" raporton se emisarët e Interit kishin 3 lojtarë nën ‘’dylbitë’’ e tyre: mbrojtësin e ri argjentinas të Monzës, Tomas Palasiosin, gjithashtu, nga krahu tjetër, në vëzhgim, prej kohësh, mësohet të jetë 23-vjeçari spanjoll, numri 10 i mesfushës së Parmes, Adrian Bernabe dhe mbrojtësi i ri italian Xhovane Leoni.

Adrian Bernabeja mund të ishte alternativë e dytë për parambrojtjen, në rast se nuk arrihet te toskani Samuele Riçi i Torinos. Ndeshja, e mbyllur në barazim, mbase nuk dha materialin e duhur për dosjen e shënimeve të dy mjeshtrave të zbulimit. Argjentinasi Palasios, me rikthimin e Alesandro Nestës në drejtimin e Monzës nuk po gjen aktivizimin e duhur. Dje nuk luajti asnjë minutë. Në krahun tjetër Bernabeja bëri një ndeshje mesatarisht të mirë, jo shkëlqyese, për t’u zëvendësuar më pas në minutën e tetëdhjetë e dy ndërsa mbrojtësi Leoni, u gjet disa herë I pasigurt dhe u ndëshkua edhe me karton të verdhë.

Interi, nga ana e tij, mund të negociojë me kushërinjtë milanistë për Bisekun. Biseku, 24-vjeçar, i cili sapo ka fituar edhe besimin e Nagelsmanit të kombëtares gjermane, duke mos patur hapësirat e plota të aktivizimit te Interi, 42% të minutave në Serinë ‘’A’’, ka interesin e Bajernit të Mynihut dhe mbi të gjitha, siç raportohet nga mediat sportive spanjolle, edhe nga vetë AC Milan.

Bajerni i Mynihut ka një ‘’fiksim’’ tanimë të njohur për Çalhanoglunë, që e njeh Gjermaninë, gjermanishten dhe kampionatin gjerman nga përvoja e shkuar me Bajer Leverkusenin si edhe futbollin e skenave të mëdha. Çalhanogluja mund të ishte profili i duhur i lojtarit për të qetësuar shpritrat e tifozëve bavarezë me largimin e pritshëm të Kimish, për të cilin tashmë Liverpul, Siti, PSG dhe Real i Madridit i kanë bërë sytë katër.

Në mesfushën e ardhshme interiste përflitet edhe për yllin e grupmoshave të Realit të Madridit, i huazuar te Komo, ku faktikisht është duke shkëlqyer me 6 gola dhe 5 asiste, Niko Pazi, i biri i ish-shokut të afërt të zëvendëspresidentit interist Zaneti, Pablo Pazit, te kombëtarja argjentinase 1996-1998. Më 10 mars vetë Havier Zaneti ndau një foto familjare nga restoranti i tij, ku dukeshin familjarisht. Sinjalet dhanë shpresë. Niko Pazi është një talent i jashtëzakonshëm i shkollës ‘’Real’’ që po dëshmon përputhshmëri dhe përshtatje të plotë me futbollin italian.

Në shënimet e drejtimit interist ka edhe emra të tjerë, të cilat i mësojmë nga raportime të ndryshme të medias italiane: Francesko Pio Espozito, bomberi i Serisë ‘’B’’, 19-vjeçari i huazuar te Specia nga vetë Interi, me gjasë do të rigjejë hapësirat në skuadrën mëmë me ardhjen e sezonit të ri. 14 gola në 28 ndeshje kanë bindur plotësisht. Ai me gjasë do të marrë vendin e njerit prej dyshes Korrea/Arnautoviç. Në sulm përflitet edhe një tjetër interes i fortë i Interit nga kampi i Bolonjës: Santiago Kastro, sulmuesi i Bolonjës konsiderohet si alter egoja perfekte e Lautaros, aq sa ka fituar nofkën "Lautarito" pikërisht për mënyrën se si i ngjan Toros në lëvizje dhe lojë. Për 20-vjeçarin argjentinas, autor i nëntë golave dhe pesë asisteve në të gjitha garat me kuqeblutë bolonjeze, Interit i duhet të paguajë mbi 30 milionë euro. Santiago Kastroja, i cili ende nuk ka siguruar thirrjen e kombëtares së  Argjentinës, përflitet se mund të vishet blu dhe të sigurojë një thirrje nga Spaleti për kombëtaren italiane.

Marrëveshja me Sartorin e Bolonjës mund të shkojë përtej interesit për Santiago Kastron. Dy mbrojtësit Beukema dhe Lucumi paraqesin interes, për të zëvendësuar Acerbin në të ardhmen. Duket qartë që orientimi ri interist do të jetë ulja e moshës mesatare./ZËRI

Poll

MOS HUMB