
Majorkë– Majorka fitoi 2-1 me Espanjolin dhe "Pirati i Kosovës", lojtari i dashur i tifozerisë së Majorkës, dje preku edhe ‘’fundin’’, edhe ‘’majën’’. Për fatin e tij të mire, të dyja në kohën e duhur.
Në minutën e pesëdhjetë e tre, i ngarkuar me detyra ndihmëse në fazën mbrojtëse të skuadrës së tij, u përpoq të ndërpriste me kokë një kros të lartë pranë këndit të majtë të zonës shtatëmbëdhjetëshe nga Ekspozito, por krijoi një parabël të paarritshme për portierin e skuadrës së vetë pas shpatullave. Ky gabim që u finalizua si autogol i dha avantazhin Espanjolit.
Katër minuta më pas mbrojtësi Hilali i Espanjolit bën një ndërhyrje të gabuar në zonë dhe arbitri Alehandro Kuintero Gonzalez urdhëroi për penallti në të mirë të Majorkës. Pranë topit, si për të korrigjuar gabimin e katër minutave më parë, afrohet ‘’Pirati i Kosovës’’. Ai gjuan mirë duke kërkuar cepin e poshtëm në të majtë të portierit, por portieri Garsia bëri të pamundurën me një hapje të shkëlqyer me dorën e tij të majtë dhe e priti.
Vetëm një minutë më pas, në aksionin më të parë pas penalltisë së humbur, për fatin e mirë japonezi Takuma Asano shënoi me kokë pas një krosi të bukur nga e majta nga Serxhi Darder.
Në minutën e shtatëdhjetë e katërt Muriqi, brenda zonës kundërshtare, kërkon të bëjë spondën me një lëvizje inteligjente me thembër përballë Marash Kumbullës. Arbitri Gonzalez vërshëlleu për penallti. Atëherë kur u duk se Pirati do të vetëkorrigjohej, ndërhyri VAR për ta anulluar penalltinë.
Ajo që nuk iu dha Muriqit, në minutën e nëntëdhjetë iu dha Abdon Pratsit. Arbitri vërshëlleu sërish penallti për Majorkën në minutën e nëntëdhjetë. Këtë herë provon vetë Pratsi ta gjuajë, por portieri Garsia tregohet edhe njëherë i jashtëzakonshëm në pritje. VAR-i, për ta komplikuar më tej, ndërhyri sërish. Sipas tyre penalltia duhej përsëritur pasi portieri kishte lëvizur përpara kohe.
Këtë herë, këtij tensioni Pratsi nuk i rezistoi dot dhe ia dorëzoi penalltinë ‘’Piratit të Kosovës’’.
Sërish me të majtën përgatitet trupmadhi shqiptar, këtë here nuk provon cepin e poshtëm në të majtën e portierit me forcë, por provon trekëndëshin e sipërm në të djathtën e portierit me elegancë. Shënon!
Majorka 2, Espanjoli 1.
Kjo fitore e rriti skuadrën në kuotën e 40 pikëve, vetëm 1 pikë larg zonës evropiane, vendit të gjashtë që mbahet nga Real Betisi. 35 gola dhe 11 asiste regjistron 30-vjeçari Vedat Muriqi me Majorkën e tij në 112 ndeshje, në vetëm 4 sezone duke përjetuar një "parajsë evropiane"./ZËRI