
BUENOS AIRES– Më parë se ndeshja të luhej, Argjentinës i duhej vetëm një barazim. Mirëpo pak përpara se ndeshja të niste, rezultatet e ndeshjeve të tjera ia siguruan aritmetikishit kualifikimin në Botërorin 2026 "albiceleste-ve". Kjo qetësi, e kombinuar me një "El Monumental" të zjarrshëm, solli në fushë versionin më të mirë të skuadrës, duke bërë të harroheshin secila prej mungesave të shumta.
Vertikalizimet e shpeshta, zbritjet në grup dhe shpejtësia në koordinim, sollën një epërsi të dukshme ndaj kundërshtarit që në minutat e para, e cila u shpërblye shpejt edhe me gol.
4-1 fituan argjentinasit, me një ndeshje të dominuar në çdo tregues të lojës. Në kontroll topi, në sulme e kundërsulme, në gjuajtje të kuadratit dhe në kërkim të tij, Argjentina ngulmoi aq shumë sa rezultati 4-1 duket i kursyer, po të mbahet parasysh se rasti më i rrezikshëm i Brazilit ishte një traversë e Rafinjës në pjesë të dytë, kur rezultati ishte stampuar.
Enzo Fernandezi ishte më i miri për të tijtë, një gol, një asist dhe përherë i zhdërvjellët për të qenë pjesëmarrës në çdo aksion të rrezikshëm të skuadrës së tij.
Për argjentinasit shënoi i pari Hualian Alvarezi, duke finalizuar një aksion me pjesëmarrjen e gjashtë shokëve të skuadrës. Një gol shumë të bukur shënoi vetë Enzo Fernandezi, duke e shpënë rezultatin në 2-0. Goli i vetëm i Brazilit erdhi nga një gabim kontrolli i Romeros, në minutën e njëzet e gjashtë. Mandej, asist magjik i Fernandezit e gjen zgjuarsisht të vetëm përballë portierit Mc Allisterin e Liverpulit që nuk fal. Të katërtin e shënoi në pjesë të dytë Xhuljano Simeone, që ishte i pari për të me fanellën kombëtare, çfarë e shprehu me një gëzim fëmijënor.
Argjentina siguron kështu kualifikimin në Botërorin 2026, e renditur e para me 31 pikë. Pas saj, 8 pikë më pas, vjen i dyti Ekuadori. Uruguaji, Brazili dhe Paraguaj janë me pikë të barabarta, 21. Kolumbia e gjashta me 20 pikë. Venezuela e shtata me 15./ZËRI