
KOSOVË- Në një nga daljet e rralla televizive, këngëtari kosovar Armend Rexhepagiq ka folur edhe për vendimin e tij për të mos patur fëmijë. Ai u shpreh se ka qenë një vendim i marrë nga ai dhe gruaja e tij për shkak sepse nuk ka qënë dëshira e tyre për të qenë prindër. Më tej ai vazhdoi dhe tregoi se kjo temë është tabu për shoqërinë tonë, por gjithsesi ai dhe bashkëshortja e tij, Aida Baraku, prej 41 vitesh po shijojnë dashurinë e tyre edhe pse nuk kanë sjellë në jetë një fëmijë.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit nëse kishte ndonjë pendesë, Rexhepagiq tha se ishte i qetë në vendimin e marrë.
“Jo, kurrë nuk kam pasur dëshirë që të kem fëmijë. “Sepse nuk e kam pasur dhe nëse filloj ta shtjelloj, më duket se filloj të arsyetoj dhe justifikohem prandaj mendoj thjesht që mjafton vetëm që nuk ka ekzistuar dëshira as nga ana ime, as nga ana e bashkëshortes që të kemi fëmijë dhe ndoshta në shoqërinë tonë kjo është temë tabu, jam i sigurt për këtë, por ka qenë vendimi ynë i dyanshëm të cilin e kemi ndier dhe e kemi respektuar vendimin që kemi pasur.
Sot nuk jam bërë pishman, jo sepse dua të pohoj që kam bërë, përkundrazi, kënaqem me fëmijët e tjerë, i dua shumë, kam njerëz në familje të cilët i kam shumë të afërt me të cilët kam fëmijë të vegjël ose krijoj raporte mirë, por me veten nuk e kam ndier shumë dhe unë mendoj që kjo është një e drejtë e njerëzve që të ndiejnë dhe mendoj se kjo është e rëndësishme edhe te femrat se në njëfarë mënyre automatike kuptohet që çdo femër duhet të ketë instikt amënor dhe ndoshta edhe mashkulli atë të babait, nuk është kështu.
Unë të paktën e njoh veten, e kam ndier këtë dhe nuk jam handikap, nuk kam nevojë të justifikohem dhe në shoqërinë tonë nuk kam folur, i kam lënë njerëzit të kuptojnë çfarë të duan sepse nuk më ka lënduar fakti që nuk kam fëmijë”, u shpreh ai.
Armendi gjithashtu tregoi se ai kurrë nuk e ka ndjerë presionin nga familja e tij për të sjellë në jetë një fëmijë dhe sipas tij prindërit nuk e kanë kundërshtuar asnjëherë dëshirën e këngëtarit dhe bashkëshortes së tij në lidhje me këtë temë./ ZËRI