Qytetërim

Kristiano Ronaldo mund të blejë Valencian për të instaluar një model anti-Mendes

Ronaldo po shfrytëzon marrëdhënien e afërt që ka me Peter Limin, i cili në fakt menaxhon kompaninë që kujdeset për imazhin e CR7-s, për të sjellë një menaxhim të ri te Valencia.

Redaksia Zëri
Kristiano Ronaldo mund të blejë Valencian për të instaluar
Kristiano Ronaldo

SPANJË-Peter Lim president i Valencias

Në tetor të vitit 2014 biznesmeni nga Singapori, Peter Limi, bleu Valencian, 83% të klubit për një operacion total 400 milionë euro, nga të cilat vetëm 70 milionë euro investime direkte dhe deri në 150 milionë euro për mbulimin e borxhit me Bankia-n. Në atë kohë klubi spanjoll i detyrohej 220 milionë euro Bankia-s, 360 milionë ishin borxhet në total, po të llogaritej edhe borxhi ndaj ‘’Generalitad Valenciana’’. Peter Limi mori përsipër të shiste ‘’Mestajën’’ e vjetër e mandej të ndërtonte edhe ‘’Mestajën e ri’’. Më parë ai kishte provuar pa sukses të blinte Liverpulin dhe Milanin. Me Valencian ia doli. Për 11 vjet, mënyra se si ai e ka drejtuar klubin, ka sjellë pakënaqësi dhe protesta te tifozët.

Politika e tij praktikisht kishte një linjë të qartë: shkurtim kostosh dhe shpëtim nga borxhet. Rënia nën epokën Lim është e dukshme: kostot ia ka dalë t’i shkurtojë më së miri por skuadra, këtë vit, 11 vjet më pas, borxhet janë 4-fishuar, 1.7 miliardë dollarë llogariten ato.

‘’Nou Mestalla’’, ‘’Mestaja e Re’’, projekti i stadiumit të ri, ka mbetur vetëm një mbathje e jashtme me beton gri. Ky projekt ka filluar në vitin 2007, por problemet financiare e kanë bllokuar përfundimin e tij. Nou Mestalla, i projektuar si një stadium modern me kapacitet 55,000 spektatorë, më shumë se sa kapaciteti aktual i Mestalla-s që është rreth 49,000 vende, pavarësisht shtimit të ritmit të punimeve në vitin 2020, ka ngecur sërish. ‘’Nou Mestalla’’ është simboli fizik i dështimit të menaxhimit të epokës së Limit.

Në mars qarkulluan lajme se pas një oferte nga ish-zëvendëspresidenti I Valencias, Migel Zorio, për ta blerë për 248 milionë euro skuadrën, Limi, thuhej se pati vendosur çmimin: 400 milionë euro për këdo dëshiron ta blejë. Menjëherë sapo ky lajm i dytë rrodhi në media, familja Lim bëri dy lëvizje të forta. Së pari e mohoi që Valencia është në shitje. Së dyti, shpalli presidentin e ri, djalin e miliarderit Peter, Kiat Limin. Valencia ishte klubi i katërt me më shumë pikë në historinë e La Ligës, tani është kaluar nga Atletik Bilbaoja dhe po ndiqet nga të tjera ekipe.

Në epokën e tij është fituar vetëm një Kupë e Spanjës, e cila nuk e kishte bekimin dhe as gëzimin e presidentit. Sipas tij Kupa ishte shpërqëndrim dhe lodhje e skuadrës dhe as nuk u bë pjesë e festimeve, e as nuk u tregua shpërblyes me përforcime ndaj ekipit stërvitës që solli trofeun. Marselino Torali, trajneri fitues, në një intervistë të vonshme bëri deklarata të bujshme: “Ne bëmë atë që tifozët donin, duke respektuar historinë e një klubi të madh si ky. Drejtuesit na thanë të mos përpiqeshim të fitonim trofeun dhe të mos aktivizonim lojtarët më të mirë.”

Në 11 vitet e fundit Petër Limi ka ndërruar 15 herë trajner, 11 emra. Shkarkimi i trajnerit Marselino Garsia Toral në vitin 2019 ngjalli pakënaqësitë më të mëdha, pasi Torali kishte sjellë një Kupë Mbreti dhe e kishte radhitur dy herë të katërtën Valencian, në zonën e Ligës së Kampioneve. Pas tij, Limi pushoi Alemanin si drejtor sportiv, detyrë që më pas ai e bëri te Barcelona. Në 11 vitet e fundit, si për të dëshmuar paqëndrueshmërinë e klubit, ka ndërruar edhe 8 drejtorë sportivë.
Një tjetër element i politikës së Limit është se lojtarët më të talentuar të klubit ai i ka shitur përherë, Mamardashvili, Musah, Guedes, Soler, Ferran Torres dhe Rodrigo vetëm në pesë sezonet e fundit, por asnjëherë nuk janë shpenzuar paratë për të afruar talente që zëvendësojnë cilësinë e të larguarve. Më parë ka patur largime të kushtueshme, Ottamendi, Mustafi, Kanselo, Andre Gomes, Alkaser, Neto, Mathieu, Kondogbia, Murijo, Zaza, Maksimoviç, Bernat, De Pol etj. Të gjitha operacionet ai i bën në distancë. Për herë të fundit është parë në ‘’Mestaja’’ në vitin 2018. Limi kalon shumicën e kohës së tij në Singapor, gjë që e ka bërë edhe më të papëlqyeshëm për tifozët e tij, të cilët tashmë e shohin si një uzurpator të mirëfilltë, fizik dhe virtual. Dy tifozë valencianë shkuan në Singapor për ta kryer atje protestën e tyre, por Policia vendase u hapi jo pak probleme duke i izoluar. Ligji i tubimeve atje është shumë i ashpër.

Dy episode të tjera që vështirësuan edhe më tej marrëdhënien e Limit me tifozët ishin rasti i presidentit të ngarkuar, bashkëpatriotit të pronarit Lim, Murti, që kërcënonte në një audiopërgjim yllin e skuadrës dhe idhullin e tifozerisë, Karlos Solerin. Ky incident i shkaktoi edhe pushimin nga puna nga dirigjenca. Gjithashtu, valës kundërshtuese të tifozëve, e bija e miliarderit iu përgjigj me një arrogancë të pashembullt në rrjetet sociale duke thënë se klubi ishte pronë e tyre dhe do të vepronin me të sipas dëshirës së tyre.

Ndërkohë, Valencia e Limit historikisht është mbështetur te akademia e të rinjve. Tre sezone më parë kishte skuadrën më të re në La Liga, njëjtë si në 2021/22. Aktualisht, është ekipi i dytë më i ri në kampionat pas Barcelonës, vjet ishte i treti. Skuadra ka defiçiencën më të lartë për vlerë skuadre sipas ‘’transfermarkt’’ në raport me renditjen. Ajo ka skuadrën e gjashtë më të vlefshme në La Liga, por renditet 12 vende më poshtë se sa pritet sipas këtij treguesi.

Këtë sezon ka 28 pikë, vetëm 3 më shumë se sa vendi i parafundit dhe vetëm 1 pikë më shumë nga sa dy skuadrat ndjekëse, në zonën e rënies direkte.  Hera e fundit që Valencia binte nga kategoria ishte në vitin 1986, shpenzoi vetëm një sezon në Ligë 2 dhe u rikthye. Skuadra ka qenë përherë pjesë e kategorisë së epërme të futbollit spanjoll, megjithatë këtë vit rrezikon shumë.

2. Kristiano Ronaldo mund të blejë Valencian

Nga Arabia Saudite, në situatën e tanishme të Valencias, vjen një lajm. Tre javë më parë ESPN diskutonte një informacion që vinte nga Turqia, sipas të cilit, Kristiano Ronaldo po shfrytëzon marrëdhënien e afërt që ka me Peter Limin, i cili në fakt menaxhon kompaninë që kujdeset për imazhin e CR7-s, për të sjellë një menaxhim të ri te Valencia. Kristiano Ronaldo mendohet se do të bashkëpunojë me miqtë e tij të rinj te Al Nasri, konkretisht Princin e Kurorës Muhamed Bin Salmanin, me të cilët lirohet nga kontrata si lojtar këtë verë dhe mund t’i përdorë marrëdhëniet e tyre si mbështetje për të blerë Valencian. Kristiano Ronaldoja e ka vizionin drejtues. Për Pirs Morganin, kur u përjashtua nga Mançester Junajtidi dha një intervistë që nga shumë pikëpamje mund të dukej problematike, por mënyra e mprehtë se si ai e analizoi në 360 gradë klubin e ‘’djajve të kuq’’ la të kuptohej ‘’mindset-in’’ e portugezit, se ai di të shohë nga sipër dhe si drejtues.

Nga ajo intervistë mund të kuptojmë shumë se si Ronaldoja do të mund ta drejtonte Valencian: Ronaldo kritikoi strukturën dhe infrastrukturën e Junajtid, duke thënë se klubi nuk kishte ndryshuar aspak që nga largimi i tij në vitin 2009. Ai përmendi se palestrat dhe objektet stërvitore ishin të vjetëruara, teknologjia dhe mënyrat e stërvitjes nuk ishin përmirësuar, nuk kishte një vizion të qartë për të ardhmen e klubit, dietat ushqimore dhe shërbimi mjekësor i skuadrës nuk ishin me hapin dhe fjalën e fundit shkencore. Aplikimin e zhvillimeve të fundit shkencore e konsideronte jetike për një klub të madh evropian. Ai kritikoi edhe fokusin e presidencës së Glejzërve vetëm te financat, çka është edhe stili i Limit. Ronaldoja u tregua i pamëshirshëm me mungesën e kuriozitetit të të rinjve për të mësuar nga më të vjetrit dhe për t’u përmirësuar me këshillat e tij.

Asokohe vuri theksin te disiplina te grupmoshat. Po ashtu, Ronaldoja u shpreh se menaxherët nuk mund të ishin trajnerë, duke kritikuar fort Ralf Ranjikun. Portugezi la të kuptohej se nëse mjedisi nuk ka mentalitet fitues, fitoret nuk do të vijnë kurrë, gjë që e kishte frenuar edhe Junajtidin. Nga deklaratat e Kristiano Ronaldos te Pirs Morgani mund të kuptojmë shumë për linjat e tij teorike të punës, në rast se ia del me fondin saudit ta blejë Valencian nga Peter Limi.

Kjo intervistë, siç u pranua më pas nga bashkëpunëtorë të afërt të të dyve, shkatërroi përfundimisht marrëdhënien e Kristiano Ronaldos me menaxherin e tij historik, Horge Mendesin. I fundit ishte kundra deklaratave të ashpra të portugezit ndaj klubit të kuq dhe kjo ndodhi në kohën kur portugezi i kërkonte menaxherit të tij me këmbëngulje transferimin te njeri prej dy klubeve angleze, Çelsi ose Arsenal. Në mungesë të kësaj, menjëherë pas deklaratave te Morgani, Ronaldoja zgjidhi me një menaxher privat transferimin në Arabinë Saudite. Dalja e emrit të tij te Valencia, mbase do të sjellë edhe një zhvillim të ri: instalimi i një modeli anti-Mendes.

3. Aferat e dyshimta të Mendesit që në fillesat e presidencës Lim

Horge Mendesi, një nga agjentët më të fuqishëm të futbollit botëror, ka pasur një ndikim të madh, të dukshëm dhe të padukshëm, te klubi spanjoll i Valencias. Në partneritet me pronarin e klubit, Peter Lim, Mendesi e ka përdorur Valencian si një platformë për të zhvilluar interesat e tyre financiare, për të menaxhuar lëvizje lojtarësh dhe trajnerësh që Mendeshi përfaqëson zyrtarisht, ose që përfiton me të tretë jozyrtarisht. Marrëdhënia e të dyve është aq e afërt sa portugezi ka qenë dëshmitar në martesën e manjatit. Mendohet që këshillat e Mendesit, edhe kur nuk kanë qenë të pranishme lëvizjet e dukshme, të kenë qenë përherë të pranishme.

Horge Mendesi ishte ai që e bindi Limin të investonte në futboll, duke i premtuar fitime të sigurta. Pas blerjes së klubit, dy blerjet e para ishin Rodrigoja dhe Andre Gomesi, të dy nga Benfika në Portugali dhe të përfaqësuar nga agjencia e Mendesit, ‘’Gestifute’’. Po ashtu, trajneri i parë i epokës Lim ishte Nuno Espírito Santo, një tjetër klient i Gestifute. Me kalimin e kohës, Valencia vazhdoi të afronte lojtarë të tjerë të përfaqësuar nga Mendes, duke ngritur dyshime për një lidhje të fortë mes klubit dhe biznesit të tij. Gestifute rritej financiarisht paralelisht me rritjen e borxhit të Valencias. Që nga momenti kur Limi mori pronësinë e Valencias, kompania e Mendesit, Gestifute, ka përfituar rreth 94 milionë euro në komisione nga transferimet, për një total prej 700 milionë eurosh të lëvizura. Mendesi ka ndikuar edhe në transferime jashtë menaxhimit të dukshëm të kompanisë së tij. Ajmen Abdenuri nga Monakoja në vitin 2015 është njeri syresh. Shumë herë, prioritetet e Mendesit dhe Limit kanë anashkaluar nevojat e trajnerëve dhe projektet sportive të drejtuesve të tjerë në klub, siç ndodhi në vitin 2019 pas fitores së Kupës. Kritikët e këtij modeli të qasjes menaxhuese, përfshirë trajnerin Marcelino dhe drejtorin sportiv Mateu Alemani, u përballën me pasojat.

Rasti i Geri Nevillit si trajner, i emëruar trajner nga Limi pa përvojë të mëparshme, ishte një tjetër shembull i ndikimit të marrëdhënieve të biznesit në drejtimin e klubit. Ku qëndronte kjo lidhje biznesi? Limi ishte bashkëpronar në Salford Siti, një klub anglez ku Nevil ka investuar së bashku me ish-lojtarë të Mançester Junajtidit.

Një ish-këshilltar i klubit, Antonio Sese, e shpie shumë larg akuzën e tij: ai ngre dyshime për pastrim parash, evazion dhe paligjshmëri në operacionet e ndërtuara nga Limi dhe Mendesi. Aktualisht, duket se ndikimi i Mendesit është reduktuar disi, pasi vetëm një lojtar i përfaqësuar nga ai është ende pjesë e Valencias. Megjithatë, raporti i Mendesit dhe Limit kanë më shumë të padukshme se të dukshme në bilancet e tyre.

4. Konkluzion

Valencia ka kaluar një dekadë të trazuar nën drejtimin e Peter Limit, me një model menaxhimi që e ka çuar klubin në krizë financiare dhe sportive. Ndikimi i Horge Mendesit në operacionet e klubit ka qenë i thellë, duke krijuar një sistem lëvizjesh që ka anashkaluar interesat sportive në favor të përfitimeve ekonomike të një rrjeti të ngushtë agjentësh dhe biznesmenësh jashtë botës sportive. Me fjalë të tjera, vetë Peter Limi e pati deklaruar vite më parë se Valencia e kishte ndihmuar të rriste cilësinë dhe shtrirjen e network-ut të tij me milionerë dhe sipërmarrës në Evropë. Skenari mund të ndryshojë nëse Kristiano Ronaldoja hyn në lojë. Me vizionin e tij për disiplinë, modernizim dhe një strukturë të qëndrueshme, ai mund të sjellë një model të ri, ndoshta edhe një kthesë anti-Mendes, duke e rikthyer Valencian në rrugën e saj tradicionale të suksesit. Pyetja e madhe mbetet: a do të arrijë Ronaldo të realizojë këtë projekt ambicioz dhe të bindë Limit për ta shitur klubin? A do të instalojë një projekt Njukasëll Bis në Spanjë? Apo Valencia do të mbetet peng i lojërave të biznesit dhe interesave të fshehta, ashtu siç ka qenë deri më tani?

E ardhmja e klubit valencian është në një udhëkryq; vendimet e muajve të ardhshëm do të përcaktojnë nëse ky klub historik do të rilindë apo do të vijojë të zhyten në krizë dhe në borxhe. Fillimvitet 2000, kur Valencia shkonte dy herë në finalen e Ligës së Kampioneve, fitonte dy herë La Ligën, Kupën UEFA dhe disa herë Kupën Spanjolle, duken të largëta. Kristiano Ronaldoja, si lojtar, ka luajtur 20 herë kundër Valencias, 15 gola dhe 5 asiste ka shënuar kundër tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB