ZVICËR-Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi në Zvicër i reperit, Rigels Rajku, të njohur si Noizy. Sipas medias zviceriane ‘Watson’ ai akuzohet për disa vepra penale. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit pranë Gjykatës për Masat e Detyrueshme, por ende nuk ka një vendim. Deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga gjykata, vlen prezumimi i pafajësisë.
Raportohet se ndaj reperit janë duke u zhvilluar procedura penale, por për shkak të natyrës së vazhdueshme të procedurave, autoritetet nuk pranuan të jepnin detaje të mëtejshme. Në artikullin e publikuar 'Waston', thuhet se Noizy numëron gati katër milionë ndjekës në Spotify dhe mbi dy milionë ndjekës në Instagram. Madje edhe gjatë fushatës elektorale dhe pas rizgjedhjes së tij, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dalë në skenë me reperin.
Fillimisht, reperi shqiptar kishte planifikuar një koncert në Rinora 4 në Rümlang, por vendosja e tij në pranga, ka bërë që edhe ky koncert të anulohet. Reperi u arrestua nga autoritetet zvicerane në aeroportin e Zyrihut. Mediat e Zyrikut raportuan se ndalimi është kryer me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime të Rënda dhe të Dhunshme, megjithatë, burime të afërta me artistin ofrojnë një version tjetër. Menaxheri i reperit shprehet se Noizy nuk është i përfshirë në asnjë hetim aktiv dhe se gjithçka do të zgjidhet së shpejti./ZËRI

