
TIRANË- Opozita do të rikthehet në shesh për të zhvilluar protestën e saj të disatë më 23 dhjetor. Këtë herë, në shesh pritet të jetë edhe vetë kryedemokrati Sali Berisha, pasi është liruar nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Tubimi i Partisë Demokratike është planifikuar të nisë në orën 17:00 dhe rrugët që do të bllokohen janë:
Rruga pranë Bashkisë së Tiranës, rreth-rrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Ëilson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”.
Edhe këtë here, duket se demokratët do të shpërndahen në këto 5 pika dhe pritet që tubimi të zgjasë rreth tre orë. Kërkesa kryesore e Opozitës është krijimi i qeverisë teknike dhe më pas zhvillimi i zgjedhjeve të lira.
Por, njësoj si herën e kaluar, demokratët me shumë mundësi do të përplasen me Policinë e Shtetiti, e cila nuk lejon bllokimin e rrugëve. Në terren pritet që për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë protestës, të jenë forcat e rendit, të Shqiponjave dhe FNSH. Nuk do të mungojnë autobotët me ujë dhe gazi lotsjellës.
Nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në trajnimin dy-ditor për Forumin Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i bëri thirrje rinisë që të marrë pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025. Berisha theksoi se misioni i PD-së është fitorja e zgjedhjeve, duke theksuar se të rinjtë duhet të dalin në skenë për të shkatërruar kundërshtarin politik.
“Energjia juaj, përkushtimi juaj, por edhe imazhi juaj, janë të një rëndësie themelore për këtë fitore. Në qoftë se ju bëheni imazhi i kësaj fushate, kundërshtari shkatërrohet”, u shpreh kreu i PD-së.