
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu do të vijojë të ketë mbështetjen e tij përse i përket drejtimit të këtij dikasteri, pavarësisht thirrjeve pëe dorëheqjen e saj. Në fjalën që mbajti, në të cilën deklaroi se në Shqipëri, brenda vitit do të arrihet dhe mbyllja e platformës së “Tik Tok”, Rama iu përgjigj dhe thirrjeve për dorëheqjen e Manastirliut që është kërkuar nga familjarë e qytetarë që kanë dalë të protestojnë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, përfshirë dhe anëtarë të Opozitës. Por, sipas Ramës, këto akuza janë një përpjekje për përfitime nga ngjarja e ndodhur në shkollën “Fan Noli”, pas një sherri mes adoleshentëve.
“I them të gjitha këto për të pasur shumë të qartë bashkarisht një gjë. Nuk mund të parandalohen dhe nuk mund të shmangen të gjitha ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin. Ajo që i dallon qasjet ndaj ngjarjejeve është si reagojmë ndaj tyre. A bëhet ngjarje një arsye e fortë që pastaj si rrjedhojë ajo sferë e veprimtarisë shoqërore të bëhet më e mirë apo bëhet ngjarja një sebep që shoqëria e tërë të futet në një përleshje për të gjetur se kush e ka fajin. Dhe thënë të gjitha këto, dua të shpreh publikisht, edhe si përgjigje për ata të cilët deshën edhe njëherë tjetër të nxjerrin përfitime absurde nga tragjedia e një familjeje dhe humbja e një jete, duke drejtuar gishtin e gjithëfarëlloj akuzash dhe duke kërkuar përgjegjësi personale nga ministrja e arsimit, që ministrja ka jo vetëm gjithë mbështetjen time, por unë kam bindjen se ashtu sikurse ka luajtur një rol të pamohueshëm në transformimin e sistemit shëndetësor, do të luajë një rol që do jemi falënderues edhe në transformimin e sistemit arsimor, duke e bërë atë ende më të mirë,”- tha Rama.
Dorëheqja e Manastirliut ka qenë një nga kërkesat e parashtruara në çdo protestë të zhvilluar pas vrasjes së Martin Canit. 14-vjeçari u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshi. I plagosur mbeti dhe shoku i tij Luis Meçe që tashmë ka lënë spitalin e Traumës dhe është nisur jashtë vendit për kurim. Përlleshi ndodhet në Institutin e të Miturve në Kavajë. Ai u dërgua atje pas mjekimit që mori në një spital privat, pasi gjithashtu mori një plagë në dorë gjatë përleshjes së ndodhur në shkollën “Fan Noli”.