
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë në podkastin e tij “Flasim” me skiatoren italiane, Lara Colturi, sportiste e Sport Klub Tirana. Kreu i qeverisë, gjatë bisedës me 18-vjeçaren italiane, e cila përfaqëson Shqipërinë prej 3 vitesh në kompeticionet e skive, u shpreh se Shqipëria tashmë është vendi i saj i dytë, duke e ftuar të vizitojë malet e shtetit tonë. Lara Colturi arriti të ngrejë emrin e Shqipërisë në një garë që nuk është traditë e jona, por na vendosi në mesin e gjigantëve Botëror si Amerika, Zvicra, Suedia, Norvegjia dhe shumë vende të tjera të këtij niveli.
"Një gjë është e sigurt, do bëhesh çfarë të duash, por një gjëje nuk do t’i shpëtosh dot. Si kampione do të jesh gjenerale apo kolonele e ushtrisë shqiptare. Jam i lumtur që të kisha këtu dhe jam një adhurues i yti. Uroj të arrish të gjitha majat e botës”, iu drejtua Rama, teksa zbuloi se është një fans i skiatores italiane.
Skiatorja italiane Lara Colturi, gjatë intervistës me kryeministrin Edi Rama, ka rrëfyer se përse zgjodhi flamurin kuq e zi. Ajo u shpreh se ishte nëna e saj, e cila pa mundësinë për të ardhur në vendin tonë.
"Vitin e parë, mamaja ime foli me Elvisin dhe pa mundësinë për të ardhur në Shqipëri. Unë në kategorinë C dhe isha në moshën 12-13-14 vjeç, kisha fituar të gjitha garat dhe menduam se ndërmarrja e një hapi të tillë do të më mundësonte hapjen e mundësive drejt renditjes në vendet e para apo në Kupën e botës, e për të përjetuar atë që po përjetoj tani, ëndrrën time së bashku me prindërit, duke u argëtuar së bashku”, tha ajo, duke shtuar se po përjeton ëndrrën e saj.
Teksa Rama u shpreh se flamuri shqiptar i ka sjellë fat, Lara Colturi e konfirmoi teksa theksoi se “në fakt më ka falur shumë kënaqësi, si, për shembull, çmimi Gurgl 2-3 javë më parë, si edhe tre çmime të tjera në dhjetëshen më të mirë, janë përvoja dhe unë po argëtohem shumë”.
Gjatë bisedës, Rama nuk nguroi të bënte edhe batuta, duke e pyetur "Pra nuk të kapi ankthi, apo u skandalizove se do duhej të merrje shtetësinë shqiptare apo jo?”
Colturi tregoi se vendimi për të përfaqësuar Shqipërinë erdhi si një mundësi për të punuar më ngushtë me familjen e saj dhe për të ndjekur ëndrrën e garave në nivele të larta. Ajo vuri në dukje se zgjedhje të ngjashme kanë bërë edhe atletë të tjerë në botë, duke e cilësuar këtë si një fenomen të zakonshëm.
Rama: Pra nuk të kapi ankthi, apo u skandalizove se do duhej të merrje shtetësinë shqiptare apo jo?
Lara: Në fakt edhe atletë të tjerë kanë bërë zgjedhje të ngjashme, si psh Braathen ka kaluar me Brazilin apo Hirscher, që për fat të keq është dëmtuar, ka kaluar me skuadrën e Vendeve të Ulëta. Pra, janë thjesht mundësi që çdo atlet zgjedh t’i përqafojë e mbi të gjitha për të pasur një skuadër private e të mbështetet në Federata të vogla për të pasur këto mundësi për të qëndruar e për të qenë i rrethuar nga njerëzit që të duan e për të organizuar çdo gjë bashkë.
Rama: Po në fakt tashmë është një fenomen normal në një botë gjithmonë e më të globalizuar. Kemi atletë me origjinë të ndryshme nga vendi që ata përfaqësojnë në gara. Për Shqipërinë, kjo është risi. Në fakt je ti, pastaj jemi edhe kampionët e parë olimpikë shqiptarë me origjinë nga vendet e lindjes. Tashmë edhe ne po fillojmë të mësohemi me këtë. Nga ana tjetër, dua që ti të bëhesh një shqiptare e vërtetë.
18-vjeçarja shqiptaro-italiania Lara Colturi bëri histori duke u ngjitur në podiumin e Kupës së Botës në vendin e dytë, pas numrit një Mikaela Shiffrin, e cila fitoi Kupën e 99-të./ZËRI