Politikë

Ylva Johansson: Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët s'e shkel ligjin e BE-së

Megjithatë, komisionerja nuk iu përgjigj pyetjeve të ngritura për krijimin e qendrave nën juridiksionin italian në lidhje me zbatimin e ligjit të BE-së në një vend jashtë “bllokut”, ndonëse shtet kandidat.

k.m.
Ylva Johansson: Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët
Ylva Johansson

BRUKSEL- Komisionerja për migrim e BE-së, Ylva Johansson tha në një konferencë për mediat në mesditë se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë nuk cenon ligjin europian.

“Vlerësimi i parë nga shërbimi ynë ligjor është se nuk bie ndesh me ligjin europian,"-tha ajo. Por shtoi se për shkak të statusit të Italisë si shtet anëtar dhe miratimit të detyrueshëm të legjislacionit të përbashkët, ligjet që do të zbatohen në qendrat e paraburgimit të emigrantëve në Shqipëri do duhet të kenë natyrë europiane.

“Nëse zbatohen ligjet italiane, atëherë kërkesat për azil duhet të shqyrtohen sipas ligjit italian nga autoritetet italiane. Pas një vendimi përkatës (pozitiv) ata do të dërgohen në Itali ose nëse jo do të duhet të kthehen në vendin e origjinës, nëse kjo nuk është e mundur, përsëri në Itali,”-tha Johansson.

Megjithatë, komisionerja nuk iu përgjigj pyetjeve të ngritura për krijimin e qendrave nën juridiksionin italian në lidhje me zbatimin e ligjit të BE-së në një vend jashtë “bllokut”, ndonëse shtet kandidat.

Me fjalë të tjera, nuk është e qartë nëse Italia mund të anashkalojë legjislacionin europian në territorin shqiptar dhe të zbatojë procedura të ndryshme për miratimin e kërkesave për azil. Qeveria e ekstremit të djathtë të Giorgia Melonit nënshkroi javën e kaluar një marrëveshje me qeverinë shqiptare, sipas të cilës në Shqipëri do të ngrihen dy qendra të mbyllura ndalimi për migrantët e parregullt, me shpenzimet dhe menaxhimin e Italisë.

Marrëveshja, megjithatë, është e para e këtij lloji për një vend anëtar të BE-së dhe parashikon ndërtimin, me shpenzimet e shtetit italian, të dy qendrave të pritjes në Shqipëri për përpunimin e kërkesave për azil për emigrantët, të cilët shpëtohen në Mesdheu nga autoritetet italian. Këto qendra do të jenë në gjendje të presin deri në 3000 emigrantë në të njëjtën kohë, ndërsa synimi është të përpunohen 36000 aplikime në vit. Gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat vulnerabël përjashtohen nga programi, i cili do të zbatohet nga pranvera e vitit 2024.

Meloni, megjithatë, në intervistën e saj për gazetën Il Messaggero, deklaroi se Komisioni ishte informuar paraprakisht.

“Ne e kemi informuar Komisionin Evropian pa asnjë problem. Besoj, përkundrazi, se ky protokoll specifik mund të kthehet në një model bashkëpunimi midis vendeve të BE-së dhe shteteve që nuk janë anëtare të Unionit, sa i përket menaxhimit të flukseve migratore”, theksoi ajo. Ndërssa shtoi se kjo është një marrëveshje e bazuar në një frymë të fortë europiane./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB