
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratat e bëra nga Athina zyrtare sa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Greqia "kërcënon" se do të vendosë veton kundër Shqipërisë në rrugën europiane nëse kryebashkiaku i zgjedhur i Himatrës Fredi Beleri nuk lirohet nga burgu.
Sipas Ramës, kjo nuk mund të ndodhë pasi çështja në ngarkim të Belerit nuk është një çështje politike por e drejtësisë. I ftuar në "Report Tv" një ditë më parë, kreu i qëevrisdë deklaroi se çështja është në gjykatë dhe se "topi" është në fushën e drejtësisë.
Pyetje: A mund të na vërë veto Greqia?
Edi Rama: Çështja është e njohur qartë dhe s’ka vend qartë për të bërë një reagim tjetër. Çështja Beleri është çështje e drejtësisë. Ne nuk kemi as fuqi dhe as na shkon mendja të përdorim ndonjë fuqi të pushtetit ekzekutiv për të ndikuar në pushtetin e drejtësisë. Me sa di unë kërkesa për të bërë betimin është në proces gjyqësor kur të japë vendim gjykata do ta japë dhe do ta shikojmë.
Pyetje: Po për kërcënimin e Athinës se do vërë bllokadë a keni një koment?
Edi Rama: Nuk e besoj që do arrijë të na vërë bllokadë. Është proces ky, janë hapa në Bruksel. Deri në dhjetor ka akoma kohë. Kam besim se kjo çështje nuk do bëhet pengesë për Shqipërinë. Ne s’kemi për çfarë të ndryshojmë mendje. Topi nuk është në fushën tonë që ne të shkojmë ta kapim këtë top duhet të shkojmë te fusha ne drejtësisë dhe nuk do ta bëjmë. Çështja është në gjykatë. Nëse gjykata shprehet do të shohim si do vazhdojë. Nëse duan të na bllokojnë le të na bllokojmë.
Për çfarë akuzohet Fredi Beleri?
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë.
Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instanca të ndryshme ndërkombëtare./Zëri.ai