
TIRANË- Sali Berisha është shprehur i gatshëm që të rihetohet roli i tij në ngjarjen e "21 janarit". I pyetur nga gazetarja e Zëri.ai, Florida Mingla, kreu i Partisë Demokratike tha se ishte i hapur për çdo rihetim, edhe për vrasjen e 4 protestuesëve përballë Kryeministrisë. Në fjalën e tij, Berisha shtoi se autor i vërtetë i ngjarjes ishte Rama, ndërsa sulmoi kryeprokuroren e asaj kohe, Ina Ramën, duke e cilësuar si një militante të Partisë Socialiste. Madje shtoi se ishte ajo që nuk i kreu hetimet e thelluara, duke pretenduar se donte që të merrte në mbrojtje asokohe kreun e opozitës socialiste, Edi Rama. Ndërsa, i pyetur nëse edhe për çështjen "Partizani" do t'i drejtohej Gjykatës së Strasburgut, Berisha tha: Gjithnjë mendoj Strasburgun si një Gjykatë shumë të drejtë.
PJESË NGA PRONONCIMI:
PYETJA: Gjykata e Strasburgut ka dalë në një përfundim në lidhje me 21 janarin, ku në 40 faqe material thuhet se shteti shqiptar ka përgjegjësi për dy gjëra, së pari për vrasjet dhe së dyti për moszbardhjen e krimit. Gjykata i cilëson këto shkelje të dy aspekteve të drejtës së jetës. Si e komentoni vendimin dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama që kërkoi hetim të ri nga SPAK. A jeni ju z.Berisha gati të hetoheni për 21 janarin?
Berisha: Mund të them sa vijon. Jam 100% dakord për çdo rihetim. Por nëse ai process nuk është hetuar si duhet, ai nuk është hetuar si duhet vetëm për shkak të Edi Ramës. Për të mbrojtur Edi Ramën, ai ëstë autori i vërtetë prapa asaj që ndodhi. Rrethoi Kryeministrinë me banda dhe banditë, në protestën më të dhunshme në historinë e vendit. Edi Rama deklaratat e tij i ka në television. Ishte ky kontekst që bëri që Ina Rama dhe jo akuzat e mia ndaj Ina Ramës të mos bëhej ndofta siç thotë Strasburgu hetimin e duhur. Ky proces në masën 80% është hetuar pasi Sali Berusha ka ikur nga pushteti. Ina Rama është një person me kredencialet më të ulëta, ua them unë ju se kanë dalë shumë gjëra pas. E dyta, ky proces, në masën 80 përqind është hetuar pasi Sali Berisha ka ikur nga pushteti. Dhe është hetuar nga Ina Rama, një militante e verbër e PS, një person me kredencialet më të ulëta që mund të ketë një njeri. Ua them unë se kanë dalë shumë gjëra mbrapa. Dhe një person, që kur përfaqësuesi i qeverisë amerikane, erdhi dhe dha një kontribut të madh në atë kohë, e them me shumë vërtetësi, dhe unë kërkoja një prokuror ndërkombëtar për hetim, ajo refuzonte. Dhe aty, lexoni se çfarë tha zoti Countryman për Ina Ramën. I keni deklaratat në median tuaj. Natyrisht nuk mund të mos them këtu, se keqardhja ime është se në atë vendim, ndodhet firma e Dorian Pavlit, kushëririt të Edi Ramës. Po të kishte qenë një gjykatës tjetër shqiptar, do të mund të kishte sqaruar gjykatësit e nderuar të Strasburgut, për të cilët unë them përsëri, për hetimin le të bëhet dhe ribëhet sa herë të jetë e nevojshme, do kishte sqaruar se kushëriri i Dorian Pavlit, është nxitësi kryesor i asaj që ndodhi, nga jashtë, me fakte dhe dokumente. Do kishte sqaruar se Ina Rama është një militante e partisë së Edi Ramës, e cila nuk bëri hetimin sepse i duhej të thërriste Edi Ramën. Sepse komuniteti ndërkombëtar kërkonte në mënyrë të prerë që të hetohen organizatorët dhe autorët e asaj që ndodhi. Po duket Dorian Pavli, ka qenë aty njëkohësisht avokat i Edi Ramës. Nuk ka qenë gjykatësi përfaqësues, i paanshëm i Shqipërisë.
Dhe pyetja e dytë, që sërish lidhet me të parën. Pse në rastin e hetimit të dhëndrit tuaj në dosjen Partizani, ju deklaruat disa ditë më parë, se do ti drejtoheni edhe Strasburgut, dhe në këtë rast ju deklaroni se vendimi për 21 janarin ka prapavijë politike?
Berisha: Gjithnjë mendoj Strasburgun si një Gjykatë shumë të drejtë. Dorian Pavlli është bërë famoz edhe për mashtrime të tjera në shtypin botëror. Ato që thashë unë janë 100% të vërteta. Por kjo nuk ndryshon vendimin e Strasburgut, unë e respektoj se mendoj që kanë kontribuuar në të drejtën ndërkombëtare. Gjykata ka mision garantimin e respektimit të asaj konvente.
Gjykata e Stasburgut doli në një vendim dje lidhur me vrasjen e Aleks Nikës më 21 janar 2011. Trupa gjykuese ka dalë në përfundimin se ka 2 shkelje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes, duke bërë përgjegjës shtetin shqiptar. Në vendim thuhet se shteti dështoi të kontrollojë protestën e 21 Janarit dhe përdori forcën vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që rezultoi në vdekjen e Nikës. Pas vendimit, foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se çështja duhet rihetuar, duke bërë me faj edhe njëherë qeverinë e Sali Berishës, e cila ishte në pushtet.
Në 21 janar 2011, opozita socialiste që drejtohej nga Edi Rama thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, por situata u tensionua deri në përdorimin e plumbave. Plumbat lanë pas 4 viktima: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Në Shqipëri, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi u dënua me një vit burg, ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite heqje lirie./Zëri.ai