
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dorëzuar një shkresë Kuvendit ku i kërkon marrjen në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha. Shkresa është dërguar një ditë më parë dhe është marrë nga protokolli i Kuvendit.
“Në zbatim të urdhrit të gjykatës për komunikimin e vendimit Nr.117 datë 26.10.2023, bashkëlidhur ju dërgojmë vendimin me nr. 117, datë 26.10.2023, e Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, që i përket shtetasit Sali Berisha, me objekt marrjen ne pyetje të personit nën hetime me qëllim marrjen në dijeni nga ana juaj”, shkruhet në shkresë.

Berisha është vënë nën hetim nga SPAK nën akuzën e korrupsionit, ndërkohë që ndaj dhëndrit të tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”. Ata janë hetuar për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, ku sipas SPAK Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish-pronarët e truallit./Zëri.ai