
TIRANË- Qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen për emigrantët që kryeministri Edi Rama firmosi pak ditë më parë në Itali, me homologen e tij Giorgia Meloni. Përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e Kryeministrisë thuhet se vendimi është marrë nga zv. kryeministrja Belinda Balluku dhe pas miratimit në qeveri, marrëveshja pritet të shkojë për ratifikim në Parlament.
Teksa qeveria dha dritën jeshile, kujtojmë se opozita e Shqipërisë dhe ajo italiane kanë kritikuar marrëveshjen. Sipas partive opozitare të Italisë marrëveshja për emigrantët shkel rregullat humanitare. Nga ana tjetër, edhe opozita shqiptare është shprehur kunndra marrëveshjes dhe ka kërkuar transparencë nga Edi Rama.
NJOFTIMI:
VENDIM PER PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./Zëri.ai