
TIRANË-Kryeministri Edi Rama paralajmëroi kallëzim penal ndaj Gazment Bardhit pasi hetimet e SPAK përfunduan se vëllai i tij, Olsi Rama nuk ishte i përfshirë në dosjen e laboratorit të kokainës, të njohur si dosja “Xibraka”. Sipas Ramës, tani që u krye hetimi dhe rezultoi se kallëzimi ishte i rremë, avokatët po punojnë për një proces gjyqësor. Kreu i qeverisë u shpreh se 11 gjyqe i ka fituar ndaj opozitës, ndërsa 7 të tjera janë në radhë përfshi edhe këtë të fundit me Bardhin.
"Tani që u krye hetimi i plotë dhe doli cullak krijimi i rrethanave të kallëzimit të rremë, avokatët do të punojnë edhe në rrafshin e kësaj vepre penale për një proces gjyqësor siç e meriton autori i Babales së Dytë. 11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”. 7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim,"-u shpreh Rama.
Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Por ishte deputeti i PD-së, Gazment Bardhi ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, por vetëm kishte dorëzuar indicie për nisje të hetimit./ZËRI