Politikë

'Akuza pa prova nga Berisha', Rama mesazh publik: Më kanë bërë përdorues droge, kriminel, skizofren

Rama tha se ndryshe nga se veprojnë kundërshtarët e tij politik, ai asnjëherë nuk është marrë me familjen e askujt.

F.I
'Akuza pa prova nga Berisha', Rama mesazh publik: Më kanë
Edi Rama

TIRANË-Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh se ndaj tij dhe familjarëve janë hedhur akuza pa prova, në 25 vite që ai është në politikë. Kreu i qeverise deklaroi se akuzat qe iu ben ndaj te vellait si i perfshire ne trafik droge nuk jane goditja e pare, dhe as e fundit. Rama tha se ndryshe nga se veprojnë kundërshtarët e tij politik, ai asnjëherë nuk është marrë me familjen e askujt. Kryeministri deklaroi, duke iu referuar kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishëse se “katrani i madh prej çerek shekulli fabrikon akuza kundër meje”.

Edi Rama: Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore. E kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën, si trakt të luftës pa din e as iman kundër meje, që vazhdon prej kaq e kaq vitesh. Jo Jo, nuk kam pasur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit mendor. Por sigurisht që nuk ka pasur se si të mos akuzohesha edhe për këtë, nga një katran i madh, me diplomë mjeku, që u hyn në hak deri dhe të sëmurëve më fatkeqë e familjarëve të tyre, duke i përdorur si kategori negative, për llogari të luftës së tij përçudnuese politike. Më kanë bërë me dyqind apartamente në Shqipëri dhe Europë, e me dyqind milionë dollarë dreqi e di ku. Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim dhe nuk i kam duart të ndotura, as me gjak, as me drogë, as me para të pista, e as me rrahje e kërcënime kundërshtarësh në politikë a në media. Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit. Jo, bashkëpunëtorët i kam zgjedhur gjithnjë vetë, ndërsa mua askush nuk më ka zgjedhur dhe nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor. Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë. Po jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual dhe nuk kam pasur kurrë kuriozitet ta pyes si e bën Ai përzgjedhjen për prirjen seksuale të njerëzve. Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time. E shkreta nëna ime, Aneta, u sulmua nga foltorja e parlamentit, deri nga foltorja e parlamentit, ku katrani me bojë e akuzoi se po cënonte interesin publik, duke mos më denoncuar, ajo mua, si dhunues të sajin dhe duke i lënë kësisoj shqiptarët, të votonin qorrazi për një kriminel që dhunon edhe gra.
 
Jo, nuk kam pasur dhe as kam dashur ndonjëherë të kem ndonjë apartament tjetër, përveç atij tek parafabrikatet qysh në kohë të komunizmit, dhe pastaj atyre ku kam jetuar me qira kur isha ministër kulture e kryetar bashkie. Ashtu i shihja gjërat kur isha më i ri, ende s’e kisha familjen që kam fatin të kem sot - doja të isha njeri i lirë nga çdo lidhje apo pronë e patundshme. Pastaj, kur u bekuam nga Zoti me një fëmijë tjetër, e bëmë edhe ne një shtëpi tonën, në periferi të Tiranës, siç janë bërë qindra, mijëra familje të tjera shqiptare në tre dekadat e fundit. 
 
Më kanë bërë me saraje dhe ç’nuk kanë fantazuar, thënë e shkruar, për si është ndërtuar, e me çfarë lekësh është ndërtuar shtëpia jonë. Jo, ajo shtëpi nuk ka lidhje as me sarajet, as me favore ndërtuesish apo lekë me burim tjetër, përveç të ardhurave nga puna e të dyve ne, burrë e grua. Gati çerek shekulli akuza pa asnjë çerek prove, ku më kanë bërë si veten; politikan që marr pjesën nga firmat që hedh, duke futur duart në buxhetin e shtetit dhe në xhepat e sipërmarrësve që ndërtojnë kulla apo partneritete me qeverinë. Jo, kush më njeh e di që paraja s’ka qenë asnjëherë një tundim i madh për mua.  Jam rritur nga prindër, që u ndritë shpirti aty ku janë, më kanë mësuar se leku është thjesht haku i punës së ndershme dhe nga një gjyshe besimtare, e cila më ka mësuar se njeriu nuk vjen në jetë për të bërë lekë, po për të mos vdekur pa bërë punët për të cilat Zoti e ka sjellë në jetë. Le ta gjejnë, të gjithë katranët që më ulin e më ngrenë përditë, nëpër foltore, ekrane e portale, në hanin e parlamentit apo në pijetoret televizive, si pasanik të korruptuar dhe politikan të pasuruar nga politika, një kokërr leku, një dëshmitar apo një metër katror të vetëm jashtë kufijve të deklarimit zyrtar të pasurisë; një fakt të vetëm që të provojë se unë nuk jam ky që jam, po jam ai që ata thonë. Pastaj kollaj fare, iki vetë unë, s’ka nevojë të flasin me vete rrugëve, “Rama ik, rama ik”. 
 
Nuk e kanë gjetur dhe s’kanë për ta gjetur dot, atë fakt fajësues në raportin tim me materien, qoftë para, qoftë tulla e llaç. Se nuk ka. Por nuk kam ç’u bëj fare, që edhe pse s’e kanë një fakt a provë të vetme, m’i hedhin mua në kurriz,  jo vetëm të gjitha ç’kanë bërë vetë apo ç’do bënin vetë po të kishin pushtetin tim, po edhe ç’ka bërë e ç’nuk ka bërë kushdoqoftë që ka punuar me mua, nga afër apo nga larg, e që kanë hyrë në daç në shënjestrën e institucioneve të reja të drejtësisë, në daç në gojën e shthurrur të prokurorëve e gjykatësve mediatikë apo në raste të caktuara edhe të të dyja palëve bashkë. 
 
Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk jam përdorues droge ose më saktë, nuk kam përdorur ndonjëherë droga të paligjshme. Më kanë dalë e vazhdojnë të më teprojnë dy droga çudibërëse për mua: Arti, i pandashëm nga unë, qysh nga fëmijëria. Dhe lufta politike, e pandashme prej meje, qyshse e ndava mendjen t’ia kushtoja këtë pjesë të jetës sime, ndryshimit të Tiranës, e më pas të Shqipërisë. Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim dhe nuk i kam duart të ndotura, as me gjak, as me drogë, as me para të pista, e as me rrahje e kërcënime kundërshtarësh në politikë a në media. Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit. Jo, bashkëpunëtorët i kam zgjedhur gjithnjë vetë, ndërsa mua askush nuk më ka zgjedhur dhe nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor.

Më keni dëgjuar të merrem ndonjëherë me fëmijët, me gruan a me ndonjë të afërm tjetër të atij katranit me bojë, të cilin ky Gazmendi që u bë sebep për këtë rrëfim të gjatë sot, e ka akuzuar publikisht, duke e quajtur për arsye botërisht të kuptueshme “babi i Zenit”- ishte ajo koha kur katrani i madh kishte humbur Lulin dhe vulën, ndërsa katrani me lule kishte gjetur Gazin dhe bravën. Nuk besoj s’e më keni dëgjuar. Po a keni dëgjuar nga goja ime që ta ngre hajdut që në sabah, e ta ul kriminel deri në aksham këtë “babin e Zenit”, apo këdoqoftë tjetër nga kundërshtarët e mi politikë, siç ka bërë ky “babi” i tërë katranëve të tij të vegjël me mua dhe me të gjithë kundërshtarët e vet  – pa na lënë të vdekur e të gjallë të librit të shtëpisë pa bërë pis, me jashtëderdhjet e asaj zorrës shtëpiake që e quajnë akoma parti demokratike.

Nuk besoj s’e keni dëgjuar. Natyrisht, nuk ua kam kursyer kur është dashur shpatën e shqipes sime, as atij “babit” që na mbeti peshqesh nga jetimorja e servilëve më të neveritshëm të Partisë së Enver Hoxhës, as “çunave e gocave të Partisë Demokratike” që na i bëri peshqesh përdhunimi qysh në lindje i asaj partie nga “babi” dora vetë.

Por ama, jam përpjekur gjithnjë të mos bëhem një më shumë ndër lehaqenet që shajnë, shpifin e gënjejnë se “kështu e paska politika”. Partia jonë, forca popullore e shqiptarëve, ka mëkatet e veta padiskutim të tridhjetë e kusur viteve nga ardhja në jetë. Por nuk e ka mbi kurriz mëkatin e nxjerrjes së gjuhës jashtë, si thikë për të gërryer varret e familjes, për therur shpirtin e familjarëve të kundërshtarëve të vet dhe për gërmuar hendekun e urrejtjes, dasisë e helmit mes shqiptarëve. Sa për veten, e kam ndarë mendjen prej vitesh tanimë, që gjithë ç’kanë thënë e do të thonë për mua, me të keq e me zero prova, janë një çmim, për t’iu paguar privilegjit të paçmueshëm të besimit për të drejtuar dje Tiranën, e sot gjithë Shqipërinë, dhe për të bërë histori, histori me fuqinë e votës së popullit.

E vetmja dhimbje e fortë është, se kushedi sesa herë në tërë këto vite që unë jam në arenën e baltës politike, familjarët e mi, nëna ime e ndjerë, babai im i ndarë nga kjo botë pa më parë një ditë të vetme në politikë, ime shoqe, prindërit e saj, fëmijët tanë, po edhe të tjerë në rrethin tonë familjar, i kanë paguar deri këtu një çmim shumë të lartë, tërësisht të pamerituar, zgjedhjes sime për t’u marrë me politikë. 11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”. 7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim.

Poll

MOS HUMB