Politikë

"CEZ-DIA"/ Agron Çela në SPAK: Erdha për punët e mia, nuk e njoh dosjen

Pas mbi 1 orë e 30 minuta në SPAK, i pyetur nga gazetarët se përse ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme, Çela ka thënë se ishte për punët e tij dhe deklaroi se nuk e njeh dosjen CEZ-DIA.

F.I
"CEZ-DIA"/ Agron Çela në SPAK: Erdha për punët e
Agron Çela

TIRANË- Deputeti Agron Çela, i cili është zgjedhur në Kuvend me logon e LSI-së, por i është bashkuar së fundi PS-së është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në SPAK. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se ai do të merret një pyetje për CEZ-DIA, por Çela e hodhi poshtë këtë pretendim. Pas mbi 1 orë e 30 minuta në SPAK, i pyetur nga gazetarët se përse ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme, Çela ka thënë se ishte për punët e tij.

"Isha për punët e mia. Kastriot Ismailajn nuk e njoh, kush është ky. Për Ilir Metën s’më ka pyetur askush asgjë. Nuk di gjë për dosjen CEZ-DIA. Me Ilir Metën kam marrëdhënie shumë të mira",- është shprehur Çela.

Çela dyshohet se me biznesin e tij ka pasur marrëdhënie kontraktuale me Kastriot Ismailajn, ish-bosin e DIA-s dhe pritet të japë shpjegime për transaksionet ekonomike të kryera. Asokohe Çela ka qenë një prej njerëzve më të besuar të Ilir Metës.  Deputeti Çela ishte paraqitur fillimisht gjatë ditës së djeshme në SPAK, por për një ndryshim orari, marrja e tij në pyetje u bë sot, ndërkohë që më herët janë pyetur për këtë çështje disa personazhe të njohur të politikës.

Fillimisht Zëri.ai raportoi se Ilir Kulla dhe Dorian Duçka, dy emra të njohur mes politikës shqiptare, ishin personat e parë që SPAK mori në pyetje për abuzimet në lidhje me çështjen e njohur gjerësisht si afera "CEZ-DIA". Javën e kaluar në SPAK u paraqit edhe vetë Ilir Meta, i cili deklaroi se kjo çështje është një telenovelë e gjykuar dy herë, dhe se ai nuk ka favorizuar askënd me aktet që ka firmosur gjatë detyrave publike që ka ushtruar. 

Dosja CEZ-DIA është duke u hetuar nga vetë kreu i SPAK Altin Dumani. 

Skandali i CEZ/DIA

Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo fundit ia shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona.  Më pas, në vitin 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, u bë edhe ndërprerja e kontratës që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.

Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq. Por Prokuroria e Përgjithshme e mbylli dosjen. I vetmi i dënuar ishte Kastriot Ismailaj, pronari i Kompanisë DIA.  Ish-administratori i DIA-s u vërtetua fajtor për akuzat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”. Teksa kërkoi lirinë, ai paraqiti 132 prova të reja, për të cilat  argumentoi se nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte më parë. Megjithatë sipas Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni Ismailaj i ka konsumuar veprat penale gjatë marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar përmes mashtrimit një shumë prej 5 milionë euro. Pavarësisht kërkesave të tij të njëpasnjëshme për liri, ai doli në shtator të këtij viti, pas 9 vitesh burg./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB