Politikë

KE po analizon marrëveshjen Shqipëri-Itali, ekspertët ngrenë shqetësime

Ekspertët shprehen se propozime të ngjashme për marrëveshje për emigrantët ka pasur dhe më herët, por nuk janë realizuar.

D.XH
KE po analizon marrëveshjen Shqipëri-Itali, ekspertët ngrenë
Rama Meloni

BRUKSEL - Italia nënshkroi javën e kaluar një marrëveshje për emigrantët me Shqipërinë, e cila është e pazakontë. Vendet e tjera anëtare të BE-së mund të ndjekin shembullin e shtetit italian.

Ata mund të transferojnë pritjen e emigrantëve jashtë Bashkimit Evropian. Italia po bën hapin e parë dhe shtetet e tjera anëtare mund të ndjekin këtë shembull.

Javën e kaluar, qeveria italiane nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për ndërtimin e dy qendrave të pritjes, që mund të strehojnë gjithsej 3000 persona në të njëjtën kohë. Këto struktura do të jenë të destinuara për emigrantët e shpëtuar në Mesdhe nga marina italiane, por nuk do të përdoren për të strehuar të miturit, gratë shtatzëna apo personat me aftësi të kufizuara.

Ndonëse ndodhen në territorin shqiptar, qendrat do të jenë nën juridiksionin italian, gjë që mund të jetë shkelje e legjislacionit europian. Për momentin, Komisioni Evropian mbetet i kujdesshëm. Një javë pas njoftimit nga Roma dhe Tirana, dokumenti 9 faqesh vazhdon të analizohet.

"Ne jemi në kontakt me autoritetet italiane për këtë çështje. Sapo kemi marrë protokollin midis autoriteteve italiane dhe shqiptare dhe po e vlerësojmë. Prandaj nuk do të mund të japim më shumë detaje derisa ta vlerësojmë plotësisht", shpjegon zëdhënësja e Komisionit, Anitta Hipper.

Ideja e kontraktimit të procedurave të azilit po fiton terren në Evropë. Gjermania thotë se po e “eksploron" këtë mundësi, megjithëse socialdemokratët kanë rezervat e tyre. Austria, nga ana e saj, sugjeron që Komisioni të lejojë që këto procedura të përpunohen jashtë kontinentit.

Danimarka ka shkuar më tej, duke miratuar një ligj që lejon që kërkesat për azil të përpunohen jashtë territorit evropian, por Kopenhagen është ende në kërkim të një partneri për të zbatuar ndonjë marrëveshje.

Për disa ekspertë, kontraktimi i përpunimit të kërkesave për azil nuk është një ide e re në BE, por nuk është realizuar kurrë.

“Nëse shikojmë historikun, këto lloj propozimesh nuk janë bërë të mundshme kurrë për disa arsye. Ka pyetje ligjore për ndikimin e mbrojtjes së të drejtave themelore, por ka edhe pyetje politike, morale dhe praktike që kanë penguar këto ide të realizohen”, shpjegon Alberto Horst Neidhardt, analist në Qendrën e Politikave Evropiane.

Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB