
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar këtë të hënë nga Kavaja se në vititn 2021 i kishin dërguar të huaj në zyrë për ta pyetur nëse do të ishte dakort me një koalicion qeverisë PS-PD. Gjatë fjalës së tij para anëtarësisë së PD, ai u shpreh se ka qenë kundër një marrëveshjeje të tillë.
Sali Berisha: Kur më kërkuan mua më 20 prill të 2021, Rama dhe Basha më dërguan të huaj në zyrë për të më pyetur, pas këtyre zgjedhjeve nëse PD nuk i fiton zgjedhjet çfarë do mendojë ti për një koalicion? Unë i thashë nuk mund të jem dakord me këtë. Pyetja e dytë: Po cfarë do bësh nëse ndodh? Do ti kundërvihem me të gjithë mundësitë e mia. Unë një zë jam, por nuk do ta pranoj se kjo është një gjëmë, është të vrasësh cdo shpresë. Kjo mjaftoi për të shpallur Sali Berishën brenda muajit non grata. Ajo nuk u përgatit, ajo ishte e gatshëm, por për tu firmosur. Dhe unë cfarë mësova nga ajo? Mësova se opozitën po e merrnin peng. Opozita për cdo shqiptar është shtyllë e sovranitetit të saj. Për atë sovranitet shqiptarët janë vrarë, janë burgosur, internuar, kanë bërë sakrifica. Ai nuk mund të preket pa u shndërruar ky vend në koloni, kurrë, kurrë.
Një përgjigje e kishte dhe për ata që i kërkojnë të ndërrojë emrin e partisë. Sipas tij, kjo nuk mund të bëhet me imponim nga kryeministri Edi Rama.
Sali Berisha: Nuk ka pasur opozitë të ketë një armik me të egër sesa ne Edi Ramën. Ky shfryn ndaj nesh të gjithë urrejtjen atërore. Të gjithë urrejtjen e bllokmenëve mizorë. Ky na mori emrin, na mori vulën. Ky njëlloj si nazistët në kampet e përqendrimit, që u hiqnin emrat hebrenjve dhe u jepnin numra, për t’i denatyruar, për t’u shkatërruar identitetin, dhe ky thotë se nuk jeni ju PD. Miqtë e mi, me të drejtë mund të ketë pasur prej jush që kanë menduar, po ky pse nuk gjen emër tjetër? Emër tjetër?! Pse don Edi Rama të marrim emër tjetër. Jo mo, do përballemi me të ne. Sepse ne jemi në të drejtën e Zotit dhe nuk do pranojmë kurrë. Kur ta ndërrojmë emrin, e ndërrojmë vete ne, jo të na e ndërrojë një armik si ai.
E vërteta është se po bëjmë përpjekje shumë të mëdha dhe është një numër i konsiderueshëm të rinjsh dhe personalitetesh të shkolluar brenda dhe jashtë që po bashkohen me PD. Por, këtu mos prisni gjithçka nga Sali Berisha. Secili prej jush ka detyrën e tij të bëjnë të njëjtën gjë. Ju së bashku, njihni më shumë se unë. Po të ulemi dhe të shkruajmë këtu tani në një detyrë se kë njoh unë personalitet të shquar, djalë, vajzë, të zotë, që duhet të bashkohet me ne, unë mund të bëj një listë, por ju të gjithë së bashku mund të bëni një listë 10 herë më të madhe. Prandaj të gjithë së bashku ta ripërtërijmë PD-në. Mos harroni se si ishim ne në vitin 1990-1991 kur përballeshim? Parti e kishim emrin, por tani jemi parti, por atëherë ishim një lëvizje. Por kapnim njëri-tjetrin, afronim njëri-tjetrin. Ecnim së bashku. Edhe tani, kjo kohë është kundër diktaturës!
Kryetari i Partisë Demokratike është shpallur "non grata" nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth dy vite më parë pasi akuzohet për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Bashkë me të u ndalohet hyrja në SHBA dhe fëmijëve dhe bashkëshortes së tij. Liri Berisha. Ndërkohë një vit më parë Sali Berisha u shpall "non grata" nga Britania e Madhe. Të dy "non gratat" janë kundërshtuar nga Sali Berisha, i cili mohon akuzat e bëra ndaj tij./Zëri.ai