
TIRANË-Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku është shprehur se taksimi i profesioneve të lira shtrenjton jetën e qytetarëve. Nga Gjykata Kushtetuese, ku u paraqit pasi në kalendar ishte data e parashtrimit të argumenteve të tjera në lidhje me padinë e depozituar nga grupi i PD-së kundër taksës, ajo u shpreh se bizneset në vend po mbyllen dhe një pjesë po zhvendosen jashtë Shqipërisë. Ndër të tjera Tabaku theksoi se “taksa është e padrejtë” dhe se ka prekur jo vetëm profesionistët e lirë, por një zinxhir shërbimesh.
"Një pjesë e bizneseve të profesionistëve të lirë po mbyllen, një pjesë e tyre janë duke u larguar dhe jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye ne do ta vazhdojmë mbledhjen e informacionit, do ta vazhdojmë njëkohësisht parashtrimin e fakteve në koordinim me të gjithë institucionet e tjera të cilat kanë sjellë padi në Gjykatën Kushtetuese, me kontabilistët, me auditorët, me noterët, me avokatët dhe me të gjithë profesionistët e lirë që i janë bashkuar kauzës tonë. Sot ndodhemi në kushtet e cenimit të sigurisë juridike, sot ndodhemi në kushtet e shkeljes së Kushtetutës dhe sot ndodhemi në kushtet e një tatimi që shkon 30-40% për profesionet e lira, tatimi më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Ne kemi folur shumë herë për sistemin e padrejtë që është ngritur po kësaj radhe kjo taksë e padrejtë është duke prekur jo vetëm profesionistët e lirë por një zinxhir shërbimesh sepse ndërkohë që flasim të gjithë shërbimet, duke nisur nga shërbimet për ekonominë, nga kontabilistë, noterë, farmacistë,shërbime shëndetsore kanë një rritje zinxhir cmimesh që ndikon drejtpërdrejtë mbi konsumatorin. Nga prilli i kaluar deri në prill të këtij viti, janë thuajse 11 mijë biznese që janë pezulluar. Në tre muajt e parë të këtij viti, janë thuajse 3000 biznese që janë pezulluar.”- tha Tabaku.
Duke komentuar qëndrimin pro të FMN-së, Tabaku tha se taksimi i profesioneve të lira tregon politikë selektive të qeverisë.
“Unë përgjithësisht nuk kam dëshirë ti komentoj deklaratat e ndërkombëtarëve por besoj që FMN e ka pasur për faktin që sot ka shumë përjashtime nga sistemi, sot kemi hotelet me 5 yje që janë të përjashtuar . heqja e përjashtimeve duhet të nisë nga ata që rëndojnë ,ë shumë buxhetin e shtetit. Në këtë rast ne nuk po kërkojmë asnjë politikë selektive , ne po kërkojmë që profesionet e lira të trajtohen si gjithë bizneset e tjera, sipas xhiros dhe unë besoj që për këtë FMN nuk ka asnjë objeksion. Në këtë rast, Qeveria shqiptare duhet të korrigjojë përjashtimet nga taksa për akiczën e naftës, nga favorizimet në fushën e turizmit, për taksën e insfrastrukturës për biznesin e madh . Këto janë përjashtime që e dëmtojnë buxhetin e shtetit, jo profesionet e lira”- u shpreh Tabaku.
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 18 qershor në një seancë të hapur paditë për taksimin e profesioneve të lira, taksim që nisi më 1 janar dhe që parashikon taksim me 15% për profesionistët me të ardhura deri në 14 milionë lekë dhe 23% mbi 14 milionë lekë. /ZËRI