
TIRANË- Dëshmitari në çështjen në ngarkim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit, është kërcënuar. Ky ishte pretendimi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të cilët për këtë shkak kërkuan që këtë të martë seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura. Sipas prokurores së SPAK Dorina Bejko, Rama është kërcënuar dhe madje në shenjë presioni i kanë djegur makinën e bashkëjetueses në qytetin e Vlorës. Kjo ngjarja po hetohet nga Policia e qytetit bregdetar. Arsen Rama ka deklaruar para SPAK se ka marrë nga Beleri 40 mijë lekë të rinj për tetë vota në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Seanca gjyqësore
Në senacën e kësaj të marte në Gjykatën e Posaçme kanë dëshmuar dhe dëshmitarë të tjerë, mes tyre Gligor Mërkuri dhe Matilda Mërkuri, të cilët kanë deklaruar se në këmbim të votës, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri u ka ofruar 20 mijë lekë të rinj.
Gligor Mërkuri: Nuk e di se si emri im doli tek lista. Më erdhi në shtëpi një kushëri i nënës, na tha votoni Belerin dhe do ju jap 100 mijë lekë (të vjetra), pra 3 vota. Ne nuk kemi pranuar lekë as nuk kemi shkuar për të votuar.
Matilda Mërkuri: Nuk kam dijeni që emri im ishte në një listë votuesish, Niko Panajoti me ka premtuar 200 mijë lekë (të vjetra) për 3 vota. Me të kemi lidhje familjare. Lekët na i dha që të votojmë për Belerin. Nuk e njoh Arsen Ramën.
Përballja e Fredi Belerit me Ermal Ajdinin (Shefi i Policisë Himarë)
Në sallën e gjyqit ka qenë dhe kryepolici i Himarës Ermal Ajdini, i cili është përballur me Fredi Belerin. Ajdini ka thënë para togave të zeza se përgjimet kanë qenë të ligjshme ndërsa ka akuzuar se përpos parave u ofronte qytetarëve dhe leje qëndrimi në shtetitn grek.
Ermal Ajdini: Unë në janar te 2023 jam emëruar shef komisariati në Himarë. Arsen Ramën ma kanë prezatuar një koleg polic. Në fund të muajt prill të 2023 më ka telefonuar dhe më ka thënë se po bliheshin vota për Alfred Belerin. Pas marrjes së këtij informacioni unë kam bërë verifikimet e mia dhe më ka rezultuar që informacioni ishte i vërtetë. Më pas kam vënë në dijeni eprorët e mi. Të cilët më kanë thënë që të vë në dijeni prokurorin në lidhje më këtë çështje. Më pas Arsen Rama ka vendosur që të bashkpunojë me prokurorin, për të bërë veprimet stimuluese. Në dijeninë time ka nënshkruar një marrveshje bashkpunimi. Më pas kam marrë urdhër nga prokuroria që të nisja me veprimet dhe kam kontaktuar arsen ramën për të kryet të gjitha veprimet stimuluese. Rama dhe familja e tij jetonin në Himarë por më pas ata me kanë shprehur shqetësimin se janë kërcënuar dhe janë dërguar në Vlorë. Arsen Ramën e kam njohur gjatë muajt shkurt të këtij viti. E kisha numrin e tij të telefonit sepse ai ka bashkpunuar edhe më herët me policinë për çështje të tjera. Nga shkurt deri në prillë e kam takuar 2-3 herë. Pasi kemi përfunduar të gjitha veprimet hetimore referimin e kam bërë gati në zyrë dhe e kam nisur për në drejtorin e Vlorës. Aty kam dërguar edhe Arsen Ramën. Në informacionet që në kishim përpos parave qyetarëve u janë premtuar edhe leje qëndrimi në greqi.
Pyetje nga avokatët: A jeni në dijeni që Arsen Rama ka marrë shpërblim nga policia?
Ermal Ajdini: Në dijeninë time po pasi është një procedure e ligjshme. Për më tepër informacion drejtohuni me një kërkesë drejtorisë vendore të policisë së Vlorës.
Fredi Beleri: A keni dijeni të ketë përgjime pa autorizim të prokurorit?
Ermal Ajdini: Në dijeninë time jo, te gjitha përgjimet janë kryer me autorizim të organeve kompetente.
Fredi Beleri: Keni pasur urdhër për të përgjuar të gjithë zyrën time elektorale?
Ermal Ajdini: Kemi përgjuar subjektet që na ishin autoriziar nga prokurori.
Fredi Beleri: Sa lista ka dorëzuar Rama?
Ermal Ajdini: Ka dorëzuar atë listë që ju i keni thënë në telefon, një në zyrë njërën kopje e ka dorëzuar tek ne. Nuk i mbaj mend emrat e listës.
Avokati i Belerit jashtë Gjykatës
Jashtë Gjykatës së Posaçme avokati i Fredi Belerit, Edmond Demo ka hedhur poshtë pretendimet e dëshmitarit duke i cilësuar si shpifje.
Pyetje: Pse nuk e kishin deklaruar deri më tani? Kundërshtimet tuaja me dëshminë e atij që Prokuroria e konsideron si një nga dëshmitarët më të fortë të kësaj çështje cilat janë?
Avokati: Dëshmitar vetëm ky është, në të gjitha pikat gënjen. E kemi dhënë që në ditën e parë. Nuk ka asnjë çështje të filluar.
Pyetje: Thanë se dëshnitari është larguar?
Avokati: Nëse doni ta besoni atë besoni, vëllai i vetë ka dalë dhe ka thënë që vëllai ka gabuar. Po e hoqën qafe.
Pyetje: Kush?
Avokati: Shteti, kush unë? Kur të fillojnë provat tona. Në të gjitha zgjedhjet dalin njerëz që bëjnë fushatë. Keni qejf të dëgjoni ata, dëgjojini.
Pyetje: A kishte debat mes zotit Rama dhe Belerit në sallë?
Avokati: Jo, nuk ia vlen që të debatojnë ata. Janë ku e ku larg njëri-tjetrit.
Gjykata e Lartë ‘’rrëzon’’ Belerin
Ndërkohë në seancën e mbajtur këtë të martë Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë kërkesën e Belerit për lirim të përkohshëm për të bërë betimin si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës. Sipas togave të zeza të GJL, marrja e një vendimi të tillë është kompetencën e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) duke e rikthyer kështu kërkesën.
Për çfarë akuzohet Fredi Beleri?
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë.
Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instanca të ndryshme ndërkombëtare./Zëri.ai