
TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar tensionet e krijuara në ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe Parlamentit nga deputetët e Partisë Demokratike. Në një konferencë për mediat, gazetarja e Zëri.ai, Florida Mingla pyeti Metën nëse Partia e Lirisë mbështet aksionin e opozitës në parlament, pasi në ditët e fundit, asnjë prej deputetëve të PL-së nuk është parë pranë kolegëve demokratë.
Në fjalën e tij, Meta tha se Partia e Lirisë mbetet e vendosur në aksionin e opozitës për të rivendosur të drejtat kushtetuese. Por nuk i komentoi pamjet e dhunës nga opozita.
PYETJA E ZËRI.ai: Partia e Lirisë mbështet aksionin e opozitës, duke u distancuar nga dhuna apo mbështet edhe dhunën e deputetëve opozitarë?
Meta: Ju e keni parë se bllokuese për punët në parlament është drejtimi i telekomanduar nga kryeministri i shumicës parlamentare. Së dyti, Partia e Lirisë qëndron e vendosur në aksionin e opozitës për të rivendosur të drejtat kushtetuese, sidomos sa i takon ngritjes së Komisioneve Hetimore. Partia e Lirisë bie dakord me përmbushjen e të drejtave kushtetuese, për të rikthyer parlamentin në normalitet dhe qëndron së bashku me kolegët e tjerë opozitarë.
Opozita e vendit pretendon se maxhoranca ka shkelur të drejtat e saj kushtetuese dhe për rrjedhojë nuk lejon vijimin normal të punimeve në Kuvend. PD ka kërkuar ngritjen e Komisioneve Hetimore për koncesionet në Shëndetësi dhe nxjerrjen e të dhënave të TIMS./Zëri.ai/