
TIRANË- Një skandal diplomatik shënoi vitin 2023! Ambasadori i Shqipërisë në Uashington DC Ervin Bushati u akuzua publikisht nga pronari i shtëpisë ku ai banonte në Uashington se nuk i kishte paguar qeranë për 3 muaj. Denoncimi i rastit është bërë nga Artur Elezi, pronari i banesës, i cili shkruante në Facebook se kryediplomati i Shqipërisë në SHBA ishte “zhdukur” pa paguar asnjë cent.
Sipas tij, Bushati kishte nënshkruar një kontratë me Elezin për të banuar në pronën e tij deri në fund të vitit por nuk ishte përmbajtur nga pala tjetër. Pas denoncimit, edhe pse ZËRI ka kërkuar një prononcim nga Elezi, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Denoncimi:
Sjellje të çuditshme të Ambasadorit Shqiptar në Washington DC! Zoti Ervin Bushati është qeraxhiu ynë me kontratë deri në fund të vitit. Diku nga fillimi i nëntorit na dërgon pagesën e muajit me një çek të pafirmosur. E vëmë re pas ca ditësh dhe i vemi në shtëpi që t’a firmosë. Për habi shtëpia është bosh! Pas ca ditësh shoferi i Ambasadës na sjell çelësin e shtëpisë. Ambasadori vetë është zhdukur pa berë pagesën, madje nuk i përgjigjet as telefonit! U shkruajmë ca kolegëve dhe eprorëve të ambasadorit, deri në kupolë. Heshtje e plotë, edhe ata janë zhdukur. Ç’ti themi kësaj?! Askush nuk duhet të sillet në këtë mënyrë, veçanërisht përfaqësuesi më i lartë i qeverisë në Washington DC.
Për të marrë edhe një version edhe nga ambasadori, ZËRI ka konktuar via “WhatsApp” edhe me Ervin Bushatin, por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri më tani.
"Përshëndetje zoti Bushati! Ndjesë për shqetësimin, unë jam Kejsi Muça, gazetare pranë Zëri.ai. Ju kontaktoj lidhur me një pretendim të bërë nga Artur Elezi, i cili pretendon se është pronari i banesës ku ju ishit akomoduar në SHBA. Në rrjetin e tij në Facebook, ai shkruante se ishit “zhdukur” pa i paguar qeranë për 3 muaj. Duke qenë se kemi kontaktuar me zotin Elezi por nuk kemi marrë një përgjigje, kërkojmë edhe nga ana juaj një koment lidhur me ngjarjen. Çfarë ka ndodhur? Si qëndron e vërteta? E keni paguar qeranë për 3 muajt që jeni akomoduar në banesën e tij? Mbetemi në pritje të një përgjigje nga ana juaj për të sqaruar situatën e krijuar."
Megjithatë nuk jemi ndalur me kaq! Për të marrë edhe një zë zyrtar lidhur me rastin e denoncuar kemi kontaktuar edhe me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Më 16 dhjetor të këtij viti, i kemi dërguar një email zyrës së shtypit, ku shkruajmë: Artur Elezi, pronari i banesës ku ishte akomoduar diplomati shqiptar në SHBA pretendon se Bushati është larguar nga banesa pa i paguar 3 muaj qeranë e shtëpisë? Duke marrë parasysh se Bushati, ashtu si çdo diplomat shqiptar në botë është në varësinë tuaj, kërkojmë të dimë nëse keni pasur njoftim për zhvendosjen e banimit të tij? Si e ndërroi vendqendrimin? A është njoftuar MPEJ për lëvizjen? Po ashtu, keni informacion lidhur me denoncimin publik të bërë nga Elezi? E nëse po, do të merren masa ndaj Ervin Bushatit, i cili është përfaqësuesi i parë i shqiptarëve në Amerikë?
Kur kanë kaluar më shumë se 2 javë nga kërkesa e dorëzuar, ZËRI ka mbetur ende pa një përgjigje për të sqaruar gjithë situatën e krijuar. Se çfarë ka ndodhur në të vërtetë përtej Atlantikut, ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë. Deri atëherë e gjitha do të mbetet në kuadër të një skandali diplomatik për të cilin asnjë nuk mban përgjegjësi. As kur bëhet fjalë për fytyrën e vendit tonë./ZËRI