
TIRANË- Kryeministri Edi Rama, ministri i brendshëm Ervin Hoxha, ajo e arsimit Ogerta Manastirliu, kanë qenë të pranishëm sot në shkollën “Kosova” në Tiranë, ku kanë folur në lidhje me sigurinë në institucionet mësimore.
Rama tha se roli i mësuesit është një prej më të rëndësishmëve në një shoqëri, ndërsa tha se qeveria do të angazhohet në rritjen e mëtejshme të pagave të tyre.
“Mësuesit e shkollës “Kosova” e dinë shumë mirë Odisenë e kësaj shkolle, simbol jo vetëm për Tiranën por simbol për historinë arsimit shqiptar, e cila u dogj për t’i hapur rrugë një ndërtimi në këtë truall. U prenë një numër jo i vogël pishash, e megjithatë ne rezistuam ndaj kësaj të keqeje dhe ndaluam planin për të na detyruar bërjen e një ndërtimi këtu dhe ndërtuam këtë shkollë që është një shëmbëlltyrë e ambicies tonë për Shqipërinë dhe dëshirës së çdo mësuesi sesi duhet të jetë shkolla ku rriten fëmijët tanë.
Përtej kësaj dua ta ritheksoj ata që prek ministrja, nuk jemi fokusuar vetëm te godina, por në mënyrë të posaçme edhe tek fuqizim i autoriteti të mësuesit dhe motivimi i vazhdueshëm i trupës mësimore. E kemi bërë me të gjitha mënyrat, duke vendosur si një objektiv, rritjen e vazhdueshme të pagave të mësuesit.
Sot kemi arritur me ndërhyrjen e fundit të muajit qershor që pagën mesatare ta kemi 950 euro. Është një rritje domethënëse, brenda të cilës ka edhe përshkallëzim sipas eksperiencës dhe kritereve të vendosura. Ata që dallohen më mirë, por nuk kemi ndërmend të ndalemi këtu. Synimi ynë është që Shqipëria 20230 të jetë kampion dhe të anëtarësohet në BE, duke pasur këtu njerëz punonjës shërbëtorë publikë sa më të devotshëm. Janë tre figura kryesore, mësuesi, mjeku, polici. Njëri kujdeset për dijen. Njerëzit thonë i kemi pasuritë po pse s’jemi Zvicra, sepse kemi mbetur mbrapa në dije”, u shpreh mes të tjerave Rama.
Kryeministri nuk i kurseu akuzat për opozitën.
"Gjithmonë ngjethet mishi kur mendoj që ndërkohë që unë flas, ju dhe të gjithë të tjerët që nuk janë pjesë e asaj zone të jetës publike shqiptare që është zona e politikanëve dhe atyre që dalin nëpër ekrane dhe rrokanisin kokën e dynjasë, jeni një presion të vazhdueshëm të një mbetje të madhe pikërisht të mjedisit psikologjik, një ndotje e tmerrshme që e bën njërin të dyshojë nëse ajo që shikon dhe ajo që jeton përditë, është e vërtetë. Apo ajo që dëgjon janë e vërteta. Duke i futur të gjithë në një thes, duke shfrytëzuar në mënyrë shumë djallëzore, të ligë, episode, momente, personazhe që janë pjesë e pandarë e një shoqërie në të gjithë botë, personazhe nga jeta e brendshme e policisë së shtetit, atëherë të krijohet ideja që këtu është një histori krejt tjetër nga ajo që jeton përditë", vijoi Rama.
Ndërkohë që ministri Hoxha theksoi rëndësinë që ka siguria në shkolla dhe angazhimin për t’u krijuar nxënësve dhe mësuesve një mjedis ku ata të ndjehen të mbrojtur dhe të sigurtë. Hoxha prezantoi dhe një nga projektet më madhorë të “Shqipërisë 2030”, në aspektin e sigurisë.
“Përmes ‘Smart City’ synojmë një standard të ri në monitorimin, kontrollin, mbikëqyrjen dhe analizimin e pamjeve të rrugëve, hapësirave të mëdha publike, qyteteve, përfshirë këtu edhe shkollat. Ky projekt do të modernizojë edhe më tej infrastrukturën teknologjike të Policisë së Shtetit”, theksoi ai.
Minsitri theksoi se janë instaluar kamera sigurie dhe sisteme monitorimi, në hyrje dhe në perimetrin e institucioneve shkollore, për t’u garantuar që çdo incident të parandalohet në kohë.
“240 Oficerë të Sigurisë, ura lidhëse mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Arsimit, “syri dhe veshi” i policisë në shkolla, janë një hallkë e pazëvendësueshme dhe vlerë e shtuar në sigurinë e nxënësve. Siguria Rrugore për nxënësit, stafet pedagogjikë dhe të gjithë komunitetin është po aq e rëndësishme sa siguria publike. Ndaj, që në fillim të këtij viti shkollor kam kërkuar një qasje tjetër, me fokus menaxhimin e trafikut dhe përmirësimin e sinjalistikës rrugore”, theksoi ai./ZËRI