
TIRANË-Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka deklaruar se nuk ka frikë nga hetimi i SPAK dhe as nga burgu.
Kryemadhi: Propozimet e mia për pikën 70 do ia paraqes konventës kombëtare. Tashmë që morëm propozimet i kemi dhe më të sakta për t’i paraqitur dhe pse hermetizimi për të shpëtuar nga spiunët e SPAK ishte shumë i madh, më në fund i morëm të dhënat. Ka dhimbje, kur shikojnë se si shkërmoqet imazhi i Ilir Metës, kryetari i partisë nuk është roje, është lider. Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për hapje, për mendim të ri, për të riformatuar. Faji nuk është jetim, fajin do e marr unë. Dua t’ju falënderoj edhe për ndihmën morale që më jepni edhe në telefon secili veç e veç, edhe pse keni frikë për të më uruar edhe ditëlindjen. Shumë prej jush u thuhet distancohuni nga Monika se do shkojë në burg, u them nuk më rruhet as për burgun as për SPAK. Sa kam parë kumbulla e fara luledielli të tilla në këto 30 vjet si puna e këtyre do hyjnë e do dalin sa të duash.
Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e një pjese të pasurive të deputetes së Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, për llogari të hetimeve për lobingun e forcës politike që ajo drejtoi për disa vite. Ende nuk konfirmohet zyrtarisht se çfarë i është sekuestruar Monika Kryemadhit, si telefon, llogari bankare, apo sende e asete në emër të saj.
Kryemadhi është person në hetim për llogari të këtij procedimi penal, ndërsa pak javë më parë nga SHBA ka mbërritur dhe përgjigja e lëtërporosisë. Ky hetim ndiqet nga prokurorët Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, ndërsa ankesa e saj në GJKKO do të shqyrtohet nga Erjon Bani. LSI dyshohet se shpenzuar disa qindra mijëra euro për kontrata lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar në KQZ dhe ILDKPKI./ZËRI