
TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka mbërritur pak minuta më parë në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Partisë së Lirisë. Ai është takuar me Elona Gurin, me të cilën thuhet se ka pasur debate të forta së fundmi, ndërsa ka pasur dhe një shtrëngim duarsh me bashkëshorten e tij, njëherazi deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryëmadhi.
Më herët teksa zbriste nga makina, Meta u pyet nga gazetarët se si ndihet pasi do të përballet me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
Gazetari: Monika Kryemadhi, të tjerët janë të gjithë brenda.
Ilir Meta: Është mrekulli e madhe që pas 20 viteve në parti ka mendim ndryshe.
Gazetari: A rrezikon përçarje Partia e Lirisë sot?
Ilir Meta: Jo, asnjëherë në botë.
Prej disa ditësh, Meta flet për një tradhëtar në selinë e Partisë së Lirisë, por nuk ka zgjedhur në asnjë moment që të japë një emër. Por lëvizja e parë që po bëhet nga PL-ja është largimi i Brahimllarit. Dyshime ka edhe për largimin e Kryemadhit nga Partia, pasi ka premtuar se do "zhdukë" nepotizimin, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete. E gjitha pritet të vendoset në konventën e 27 prillit./ZËRI