
TIRANË- Ilir Meta është përballur sot me një takim të ashpër në selinë e Partisë së Lirisë. Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory ka zhvilluar një takim me të ditën e sotme, ku edhe ka diskutuar lidhur me Reformën Zgjedhore. Pas takimit, të dy palët ndanë detaje lidhur me çështjet që kishin folur. Vetë kryetarja e OSBE në Shqipëri tha se kishte folur me Metën për sulmet dhe akuzat që ai ka drejtuar ndaj Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e po ashtu kreut të këtij institucioni, Altin Dumanit. Ajo shprehet se pas komenteve të Metës për gjyqësorin sqaroi se drejtësia është e pavarur dhe nuk merr urdhra nga askush.
“U takova me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ekipin e tij, sot, për të diskutuar përparësitë e reformës zgjedhore, duke përfunduar kështu raundin e takimeve të mia me partitë politike për këtë temë. Gjithashtu, e përdora këtë mundësi për të adresuar komentet e kohëve të fundit lidhur me gjyqësorin në Shqipëri. Shpreha mbështetjen e plotë, timen dhe të Prezencës së OSBE-së, për SPAK-un. Gjyqësori është i pavarur dhe nuk merr urdhra nga askush,"-bëri me dije Pasztory.
Ndërsa Meta ka dhënë versionin e tij, por pa e përmendur fare me emër SPAK-un, por drejtësinë në përgjithësi. Në rrjetet e tij sociale, ku ka ndarë edhe një foto nga takimi, ai bën me dije se kishte shprehur mbështetjen për një Reformë të vërtetë në drejtësi. Gjithashtu, Meta pretendon se ka theksuar edhe faktin që ka diskutuar me zyrtaren e OSBE-së edhe lidhur me fenomenin e shit-blerjes së votës.
"Shpreha vullnetin e palëkundur të Partisë së Lirisë për të dhënë kontributin e saj për një Reformë Zgjedhore të vërtetë, që i jep fund pabarazisë së votës, që realizon të drejtën e qytetarëve për të votuar të lirë, si dhe për dënimin me ashpërsinë më të madhe të veprimeve kriminale të Qeverisë për blerjen e votës, presionin e saj të të gjitha formave mbi votuesit dhe shpërdorimin e financave publike dhe infrastrukturës shtetërore për qëllimet e saj.
Nënvizova se në këtë moment të Reformës Zgjedhore, "Marrëveshja e 5 Qershorit 2020" është një bazë e rëndësishme pasi ajo është një marrëveshje konsensuale dhe e pranuar gjerësisht nga faktori ndërkombëtar. Theksova detyrimin e patjetërsueshëm, që organet e drejtësisë të jenë plotësisht të pavarura, të painfluencuara dhe të çliruara nga kapja qeveritare dhe të zbatojnë vetëm Kushtetutën dhe ligjin sepse vetëm në këtë mënyrë do të luajnë si duhet rolin e tyre ligjor në dënimin e krimeve zgjedhore,"-shkruan Meta.
Por duket se sot Meta ka përdorur tone me të qeta, duke u frenuar edhe me epitetet që i ka vendosur kreut të SPAK, të cilat nuk i ka ripërsëritur para ndërkombëtares. Të paktën nga ajo që ka deklaruar vetë ai./ZËRI