
TIRANË- Në seancën e sotme në Kuvend deputetët e opozitës kërkuan me ngulm që të hiqej nga rendi i ditës i seancës plenare projektligji që i hap rrugë shembjes së pronave publike për interesa private, por socialistët votuan kundër kësaj kërkese.
Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi bëri propozimin duke e cilësuar ligjin si antikushtetues dhe të futur në rend dite me një proces jotransparent. “Tërhiqeni nga votimi. Është antikushtetues dhe abuziv,” iu drejtua ajo kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
“Po synoni në mënyrë abuzive që pronat shtetërore t'ia jepni privatit, t'ja jepni oligarkëve. Po kërkoni të jepni pronën publike tek Teatri dhe shumë prona të tjera,” shtoi më tej Çupi.
Edhe deputeti Arbi Agalliu i mëshoi faktit se nisma nuk ka kaluar në konsultim publik dhe kërkoi që të tërhiqet për të kaluar fazën e konsultimit sipas dispozitave ligjore.
“Këto dy amendamente nuk kanë kaluar konsultimin publik sepse në komisionin e Ekonomisë kur keni sjell këtë ligj, kemi kërkuar të zbatohet procedura me konsultim publik,” tha ai.
Nismëtari i projektligjit, Eduard Shalsi nga PS këmbënguli se projektligji ishte diskutuar në komisione dhe se ishin argumentuar ndryshimet.
“Ua them në rastin më të mirë je e painformuar. Në rastin më të keq me ligësi e dashakeqësi doni të dezinformoni,” iu përgjigj ai deputetes Çupi. Propozimi i Çupit u hodh në votim nga Nikolla dhe u rrëzua me votën e shumicës socialiste.
Nisma e Shalsit për ndryshimin e një akti normativ të vitit 2008 u transformua kryekëput në komisionin e Ekonomisë të mërkurën, duke i hapur dritën jeshile shkëmbimit apo shembjes së pronave publike në rastet kur këto të fundit pengojnë projekte private.
Ndryshimi i propozuar nga Shalsi në aktin me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetëtore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…,” synonte kalimin e funksionit nga Ministria e Financave tek ministria përgjegjëse për Ekonominë.
Por gjatë diskutimit në komision, deputetët Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj bënë propozime të reja, të cilat edhe pse nuk i janë nënshtruar konsultimit publik, synojnë që t'u japin kompetenca çdo institucioni publik që të vendosë për shkëmbimin apo shembjen e pronave publike, për arsye investimesh private në turizëm apo qëllime të tjera.
Deputetët e opozitës e kundërshtuan si një ligj klientelist, antikushtetues ndërsa kërkuan që ndryshimet të kalonin në procedurën ligjore të konsultimit publik, gjë që u anashkalua nga mazhoranca.
Kjo procedurë u kontestua edhe nga deputeti socialist, Erion Braçe.
Braçe tha në komision se bëhet fjalë për “ndryshime themelore” që do të duhej të vinin nga ana e qeverisë, e cila është përgjegjëse për politikat.
“Ministritë janë aty për të ndërmarrë politika, pse duhet të marrin deputetët inciativa kaq të rëndësishme për ndryshim politikash,” tha Braçe, duke shtuar si argument dhe përgjegjësinë e ministrive për një proces konsultimi.
Ai po ashtu u shpreh i pakënaqur me përmbajtjen e ndryshimeve, duke shtruar pyetjen: “po pjesëmarrja e shtetit përmes pronës në një investim, përtej shitjes e shkëmbimit, pse nuk përfshihet?”
Sipas propozimeve, “prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore”.
Gjithashtu, objektet shtetërore propozohen të shemben në troje ku janë dhënë leje zhvillimi.