
TIRANË- Seanca e sotme ka filluar me interpelancën që deputeti i PD, Tritan Shehu ka kërkuar me kryeministrin Edi Rama. Në mungesë të tij Rama u zëvendësua nga ministrja Elisa Spiropali në interpelancën e kërkuar për gjenocidin serb në Kosovë. Shehu u shpreh se një hap i tillë nuk parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, por ka pranuar ta bëjë interpelancën. Sipas tij Kuvendi duhet të miratojë rezolutën dhe jo të fshihet pas rezolutës së OKB për këtë çështje.
“Zoti kryeministër është në arrati. Është e kotë të bluajmë teatër. Më duket e rëndësishme, po tentohet në rajon të rivitalizohen metodat ultranacionaliste. Sot jemi në periudhën e rizgjimit të tyre jo vetëm në rajon. Dua të përmend Rusinë me agresionin e saj dhe jo vetëm. Mbështesni ju rezolutën e Kosovës. A mendoni se duhet të sensibilizohemi me këtë ngjarje? A jeni gati të asistoni Kosovën si qeveri në përpunimin e materialit dhe dërgimin e tyre në organizma ndërkombëtare? Apo me pasivitetin tuaj doni të kontribuoni në varrosjen e së vërtetës? Rama e mora mesazhin tuaj dhe jam thellësisht i shqetësuar. Mungesa e vullnetit tuaj për të bërë diçka të dobishme në këtë drejtim. Ju fshiheni pas rezolutës së OKB. Para se të shkojmë aty duhet të bëjmë ne rezolutë ne Kuvendin tonë. Gjërat nisin këtu jo në OKB dhe Strasburg. Mos u fshih si struci pas gishtit. Retë e zeza po lëvizin sërish në kokat tona. Gjërat nuk janë më aq rozë sa dikur. Kosova është e pavarur por shumë larg njohjes përfundimtare.”, tha ai.
Spiropali iu përgjigj akuzave të deputetit demokrat, Tritan Shehu duke deklaruar se maxhoranca refuzon garën e folk-nacionalizmit.
“Një herë ulen, një herë ngrihen. Në një vend si Shqipëria, ky problem kthehet në gjyle. Minamalisht ka 10 vite që qeveria Rama dhe shumica jonë ka bërë një ndarje të fortë, të prerë nga ai lloji që bëhet për të foliur me veten, për të dëgjuar atë jehonën. Është fakt dhe jo dëshirë dhe opinion, se Shqipëria është një faktor i zëshëm dhe i pashmangshëm. E para se po dëshmon aftësi shtetformuse. Jemi në dakordësi me të gjithë partnerët tanë. Ku më shumë se në Kosovë dhe për Kosovën, jemi marrë me politikën e jashtme. Këto janë pasojat e një turbo-politike të tallavasë, që në disa raste është naive dhe në disa raste dashakeqëse. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë garë. Së paku ne e refuzojmë gazën se kush i fryn më shumë fyellit të këtij lloji nacionalizmi. Edhe në Kosovë janë të mësuar me këtë lojë. Ka një detaj që më bën përshtypje. Tema e gjenocidit shfaqet në sallën e këtij parlamenti me simetri mbresëlënëse, të përfaqësuar nga zoti Shehu”, tha ajo.