Politikë

33-vjetori i 'RD-së'', demokratët protestojnë poshtë shtëpisë së Sali Berishës

Nuk dihet ende nëse Berisha do të mbajë një fjalim si herët e shkuara.

E.K
33-vjetori i 'RD-së'', demokratët protestojnë
Pamje nga protesta

TIRANË- 33-vjetorin e themelimit të gazetës ‘Rilindja Demokratike”, demokratët kanë vendosur ta festojnë poshtë shtëpisë së kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhënë nga Gjykata e Posaçme (GJKKO). Me dhjetëra demokratë dhe drejtues të Partisë Demokratike janë mbledhur sërish këtë të premte, ashtu si dhe dy ditë më parë për të protestuar. Nuk dihet ende nëse Berisha do të mbajë një fjalim si herët e shkuara.

Pavarësisht se me vendim të Gjykatës, Berishës i ndalohet të komunikojë me persona jashtë familjes që bashkëjetojnë me ta, lideri demokrat e ka thyer dy herë këtë masë duke mbajtur fjalime nga dritarja e banesës përballë turmës. Nuk kanë munguar akuzat ndaj kundërshtarëve politikë, por as kundër drejtësisë që e ‘izoloi” në banesë.

Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”./ZËRI

Poll

MOS HUMB