Politikë

Salianji 'nxit' debatin Rama-Bardhi/ Kryeministri: Hoqe qafe shokun! Demokrati: Një qetësues... (E PLOTË)

Edhe pse në SHBA, Rama duket se e ka ndjekur zhvillimin më të fundit. Madje ka replikuar me Gazment Bardhin.

k.m.
Salianji 'nxit' debatin Rama-Bardhi/ Kryeministri: Hoqe qafe shokun!
Gazment Bardhi dhe Edi Rama

TIRANË- Debati për dënimin e Ervin Salianjit mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka vijuar gjatë...por virtualisht. Pas dënimit me 1 vit burg të Salianjit, i cili u shpall fajtor për "kallëzim të rremë" për dosjen "Babalja", i pari erdhi reagimi i kryeministrit. Edhe pse në SHBA, Rama duket se e ka ndjekur zhvillimin më të fundit. Në rrjetin e tij "X", Rama tha se më në fund drejtësia vajti në vend dhe shpifësi u vendos para drejtësisë. Po ashtu, kreu i qeverisë paralajmëroi se socialistët nuk do të tërhiqen nga gjyqe të tjera të ngjashme, duke përjashtuar gazetarët. 

"E Vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte, e pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk do të ndryshojë asgjë në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën. Ne socialistët në qeveri, kemi hequr dorë prej vitesh nga çdo gjyq për shpifje kundër gazetarëve dhe kjo nuk do të ndryshojë për shumë arsye, por nëse dëmet morale e dhimbjet e patregueshme të familjeve tona që vijnë nga aktorë të paskrupullt mediatikë, jemi gati t’i mbajmë në kurriz si kosto të lirisë së të gjithë aktorëve të medias, nuk jemi dhe s’do të jemi kurrë gati të tërhiqemi nga proceset gjyqësore kundër shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë dhe të armatosur me urrejtjen përçarëse e atdhenxirëse, që prej 34 vjetësh prodhon jashtënxjerrjet më të neveritshme të gojës,"-shkruan Rama.  

Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe reagimi i Bardhit. Ky i fundit në "Facebook", sulmoi kreun e qeverisë. Bardhi, e cilësoi kryeministrin si "frikacak", duke shtuar se po 'trimërohet' duke keqpërdorur gjykatat për të frikësuar opozitën. Bardhi e ka akuzuar kryeministrin se ka bërë ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti, duke iu referuar ish-ministrit Fatmir Xhafaj.

"I paftyrë dhe frikacak! Të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën. Ti je Kryeministri i vetëm në botë që bërë Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE! Ti je i vetmi Kryministër në botë që akuzohesh nga zëvendësi yt se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emëroj Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që ke vëllain të dyshuar si trafikant droge. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që të trimëron dhe të mban në pushtet krimi i organizuar. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që bëre deputet e kryebashkiak trafikant droge, vrasës e përdhunues. Do mbetesh unik në historinë botërore për fundin e tmerrshëm dhe të afër që të pret!,"-iu përgjigj Bardhi. 

Edhe ky reagim nuk kaloi pa u parë nga kryeministri! Sërish në rrjetin "X", Rama reagoi duke iu referuar Gazment Bardhit si "B-ja e vogël", të cilit i kujtoi denoncimin e tij për të vëllanë, Olsi Ramën.

"Unë do ta pres me durim përfundimin e hetimeve të SPAK-ut mbi trafikantin e zbuluar prej teje në familjen time dhe edhe pse nuk do të të çoj dot në gjykatë për Kallzimin e Rremë, që s’ta mbajti b-ja e vogël e shtypit ta bësh se e di po aq mirë sa edhe unë që ke zbuluar Noc Rrokun, do ta ndaj me shqiptarët me fakte në dorë se çfarë ushtari i pacipë i Mbretërisë së Shpifarakëve je zotrote!,"-shkruan Rama ndër të tjera.

Më pas, kreu i qeverisë i kujton Bardhit premtimin se do të linte politikën nëse drejtimin e Partisë Demokratike do ta merrte sërish Sali Berisha.

"Po jo vetëm nuk ike kur B-ja e madhe erdhi në seli, po vajte ti pas tij kur ai u ngjit lart në penxhere, për të vazhduar të bësh atë që të bën shërbëtorin e preferuar të të gjitha B-ve, duke të gënjyer mendja se bishti i spërdredhur i derrkucit do të të bëjë ty krye B kur të mbyllet penxhereja, por duke harruar se ti pa prehër shefi ku të ulesh, je thjesht një gjysëm burrë e gjysëm derrkuc i destinuar të zvarritesh në vijën e llumit të gojës tënde, nën vështrimin pa respekt të të gjithë kalimtarëve,"-shtoi Rama.

Debati virtual nuk u ndal me kaq, pasi sërish pati një kundërpërgjigje nga Bardhi. Duke i theksuar fjalorin e përdorur, Bardhi me ironi në ka kërkuar një qetësues për kryeministrin e vendit duke u shprehur se duket qartë që Rama e ka humbur qetësinë. Madje, po me doza ironie shton se një nga pasionet e fundit të Edi Ramës është burgosja e deputetëve të opozitës. Në fund, i përmend sërish çështjen e Olsi Ramës. 

"P.s: Ka Geroni vëlla; por ka edhe Olsi! Madje ka një vëlla jo vetëm frikacak e të paftyrë, por edhe tërësisht vulgar e me nervat jashtë kontrollit! Fatmir Xhafaj e kreu detyrën me shumë “dinjitet”, aq sa për karrigen e pushtetit e dorëzoi në burg të vëllain me duart e tij, vetëm që të mos ballafaqohej me Ervin Salianjin në gjykatë! Taksirat e ke, si vëlla i mirë që je, dhe si zyrtar po me aq “dinjitet”, bëj edhe ti të njëjtën gjë! Por kujtohu, Fatmir Xhafajt nuk i mjaftoi për të qëndruar në pushtet dhe as ty nuk do të mjaftojë!,"-e mbyll Bardhi kundërpërgjigjen.

*Rama i kujton Bardhit akuzën në SPAK, pasi ishte deputeti i PD-së, ai që kërkoi nga SPAK të rihapë hetimet për Olsi Ramën, dhe rolin e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Olsi Rama u kundërpërgjigj duke thënë se do të padiste për kallëzim të rremë Bardhin. Por siç zbuloi kryeministri Edi Rama, Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për Olsi Ramën në SPAK, ndaj nuk kishte se si ta padiste për kallëzim të rremë.

Megjithatë, Bardhi pretendon se SPAK tashmë ka rihapur hetimet për Olsi Ramën, pavarësisht se ai vetë nuk ka dorëzuar kallëzim./ZËRI

Poll

MOS HUMB