
TIRANË-Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ka reaguar ndaj Kryeministrit Edi Rama, lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit që dënoi me 1 vit burg, deputetin demokrat Ervin Salianji. Rama në reagimin e tij ka deklaruar se vendimi është i ligjshëm dhe dënimi i Salianjit tregon se drejtësia e re ka lindur e po rritet më në fund jashtë duarve të politikës.
Një përgjigje nga Bardhi nuk ka vonuar ku e quan kreun e qeverisë frikacak, ndërsa i thotë se e gënjen mendja se do trimërohet duke keqpërdorur gjykatat për të frikësuar opozitën. Bardhi e ka akuzuar kryeministrin se ka bërë ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti, duke iu referuar ish-ministrit Fatmir Xhafaj, i cili është vëllai i Agron Xhafajt.
Gazment Bardhi: I paftyrë dhe frikacak! Të gënjen mendja se do trimërohesh duke keqpërdorur gjykatat për të “frikësuar” e dënuar pa ligj e prova opozitën. Ti je Kryeministri i vetëm në botë që bërë Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE! Ti je i vetmi Kryministër në botë që akuzohesh nga zëvendësi yt se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emëroj Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që ke vëllain të dyshuar si trafikant droge. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që të trimëron dhe të mban në pushtet krimi i organizuar. Ti je i vetmi Kryeministër në botë që bëre deputet e kryebashkiak trafikant droge, vrasës e përdhunues. Do mbetesh unik në historinë botërore për fundin e tmerrshëm dhe të afër që të pret!
Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI