
TIRANË- Sot, pas 13 vitesh në politikë, Ervin Salianjit i rrezikohet mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 1 vit burg, pasi sipas trupës gjykuese deputeti është fajtor për “kallëzim të rremë”.
Por si nisi karriera politike e Salianjit?
Gjithçka filloi kur studenti i sapodiplomuar u zgjodh në 2011 nga asokohe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha si avokati i qytetit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Salianji merr mandatin e tij të parë si deputet i Kuvendit për qarkun e Korçës. 2 vite më pas, Ervin Salianji ishte një nga 7 kandidatët e zyrtarizuar në garë për kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Për të hyrë në këtë garë, të cilën nuk e fitoi, Salianji u dorëhoq nga funksionet që mbante në Partinë Demokratike. Por nuk ia doli që të fitonte!

Pas zgjedhjeve në FRPD, Basha i besoi një prej posteve kryesore në PD, atë të sekretarit për aksionin qytetar. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 fitoi gjithashtu mandatin e deputetit; për t’u rikthyer në vitin 2021 me Edmond Spahon. Të dy së bashku, si drejtues politikë të qarkut, mblodhën për Partinë Demokratike, rreth 50 mijë vota. Vetë Salianji ishte një nga kandidatët më të votuar të qarkut, duke grumbulluar 9420 vota.



Në zgjedhjet lokale, të mbajtura në vitin 2023, Salianji doli për herë të parë nga qarku i Korçës. Ai u caktua si drejtues politik i fushatës zgjedhore për Bashkinë e Kavajës, një nga bashkitë e vetme që u fituan nga opozita.

QËNDRIMET POLITIKE
Denoncimi i bujshëm që u bë nga selia e Partisë Demokratike për të ashtuquajturën dosje “Babalja”, ishte çështja e tij. Në 14 maj të vitit 2018, Partia Demokratike botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm asokohe, Fatmir Xhafaj, Agroni (gjithashtu i njohur edhe me emrin Geron) ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Në konferencën për mediat, denoncimi u bë nga Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi. Përgjimet me stilolaps pretendoheshin se ishin bërë nga Albert Veliu (Babalja), kunati i tij Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi, në prill të atij viti, në një lokal në Vlorë. Përmes këtyre videove, PD kërkonte largimin e Xhafajt nga posti, duke e cilësuar këtë të fundit si mbrojtës të aferave kriminale të të vëllait, për të cilin shtonin se lëvizte lirshëm në Shqipëri, edhe pse kishte edhe 4 vite burg për të kryer në Itali.
E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari "X" i Partisë Demokratike, pra Albert Veliu i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në përgjime me pseudonimin "Babale". Bashkë më të, në çështje u përfshi edhe kunati i tij, Fredi Alizoti. Audiopërgjimi, pasi u mor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u dërgua tek ekspertët anglezë, të cilët dolën në përfundimin se përgjimi nuk ishte autentik. Vendimit të ekspertizës iu shtua edhe dëshmia e Alizotit, i cili pranoi se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej.
Sa i përket deklaratave politike, Salianji ishte një nga deputetët “asnjëanës” gjatë kohës së përplasjeve mes grupeve të Partisë Demokratike. I cilësuar gjithnjë si një nga “njerëzit e Bashës”, Salianji doli kundër të dy liderëve të PD-së, si kundër Bashës dhe kundër Berishës. Demokrati nuk e kurseu ironinë për “ngrijen” që Basha i bëri vetes si kryedemokrat, por po ashtu vlerësoi se për opozitën më të rëndësishme janë lidhjet me SHBA-së, sesa me Sali Berishën.
“Është jetike për PD që të bëjmë gjithçka është e mundur që marrëdhëniet me SHBA t’i ketë në nivelin më të mirë, të kemi marrëdhënie sa më të mira,”- shprehej asokohe Salianji.
Vendimin final duket se mori në ditën e fundit të vitit 2022, kur Ervin Salianji bëri një shfaqje surprizë në selinë e PD-së, ku nuk shkelte prej dy vitesh, që kur aty u vendos Sali Berisha. Përgjatë gjithë 2023, Salianji ishte një nga personazhët kryesore të aksionit opozitar në Kuvend. Për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, Salianji ishte caktuar si drejtues politik në Elbasan, qark që tashmë duhet të gjëjë një “numër një” të ri./ZËRI